Ditën e sotme, është publikuar për herë të parë renditja e re e FIFA-s që pas finales së Botërorit aty ku triumfoi Franca.

Megjithëse Franca ka 1 muaj që ka fituar titullin kampion Bote, vetëm ditën e sotme ka marrë kryesimin e renditjes duke qenë se në krye të asaj liste, qëndronte Gjermania.

Pikërisht, Gjermania ka qenë problemi që ka mbajtur peng renditjen e re, duke qenë se diferenca e pikëve me skuadrat e tjera ka qenë shumë e madhe dhe FIFA duhet të mendonte një rregull të ri, për të larguar pancerat nga kryesimi dhe për të kaluar Francën në krye.

Në këtë mënyrë, është menduar që skuadrat që humbasin ndeshjen të humbasin edhe shumë pikë e koeficient dhe me renditjen e re që kryesohet nga “gjelat”, Gjermania ka përfunduar në vendin e 15.

Në vendin e dytë, janë “djajtë e kuq” të Belgjikës, ndërkohë që vendin e tretë e mban Brazili. Finalistja e këtij Botërori, Kroacia është renditur në vendin e katërt dhe 10 vendet e para plotësohen përkatësisht nga Uruguai, Anglia, Portugalia, Zvicra, Spanja dhe Danimarka.

Mungesa në këtë Botëror, vazhdon ta penalizojë Italinë, që ka humbur dhe dy vende të tjera, duke u renditur në vendin e 21. Shqipëria vazhdon të jetë në vendin e 28, ndërsa Kosova në vendin e 141. /Vipsport/