Vioresin Sinani ka mbetur i surpri zuar nga largimi i Cungut, ndërsa thekson se me Gjokën është bërë lëvizja e duhur. Ish-kapiteni i mirënjohur shkodran ka vlerësuar punën e bërë nga ish-trajneri, ndërsa evidenton se me këtë “rokadë” në stol skuadra po jep sinjale pozitive.

Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” ai insiston që Bashkia Shkodër duhet të lërë sa më shpejt ekipin, pasi kjo është zgjidhja e vetme që Vllaznia të ringrihet. Rezultatet që ka pasur skuadra në këto dy periudha, sipas tij, janë tregues i qartë që klubi nuk funksionon pa një president.

Sinani, si e pritët largimin e Cungut. Dorëheqja erdhi në momentin e duhur apo…?

Të them të drejtën u ndjeva i surprizuar nga dorëheqja e Cungut. Pavarësisht se rezultatet nuk ishin të mira, përsëri nuk mendoj se ishte ai që e solli situatën deri në këtë pikë. Megjithatë, unë e vlerësoj atë vendim që ka marrë. Ai e di më mirë gjendjen e skuadrës. Por unë dua që të vlerësoj maksimalisht punën e tij, pasi bëri realisht mirë dhe për këtë meriton vetëm respekt.

Vendin e tij e zuri Gjoka, si e gjykoni këtë zgjedhje të klubit?

Gjoka, ashtu si dhe Cungu, është një mik i imi. Për mendimin tim është bërë afrimi i duhur, nisur dhe nga vlerat. Megjithatë është ende herët që të flitet dhe të vlerë- sohet. Shenjat janë pozitive, të paktën kjo është reflektuar në dy takimet e para.

Mendoni se ka ndryshime në lojën e ekipit?

Mendoj se pika në Kukës ka qenë më shumë se e merituar. Ashtu si u nis loja, mund të merrnim edhe më shumë. Ekipi po kalon problemet psikologjike në të cilën ndodhej. Ky është edhe ndryshimi që shikoj në këto moment tek ekipi i Vllaznisë së dy takimeve me Gjokën, nga ai i mëparshmi.

Si e shikoni ecurinë e mëtejshme të Vllaznisë?

Unë e shikoj me nota pozitive ecurinë e kësaj skuadre. Reagimi që filloi që me Partizanin, pavarësisht rezultatit. Pastaj është edhe loja e mirë e zhvilluar ndaj kampionëve të Kukësit. Të gjitha këto të japin shpresë për të ardhmen.

Një ish-koleg i juaji, Redi Jupi, e fut ekipin e Vllaznisë në listën e më të rrezikuarve për mbijetesë. Po ju si mendoni?

Çdokush mund të japë mendimin e tij, është i lirë. Unë them se në këtë kampionat kam parë se ka ekipe shumë më të dobëta sesa Vllaznia jonë. Nuk e shikoj këtë skuadër për mbijetesë, pasi ka realisht “brumë”. E kam thënë edhe më herët dhe do vazhdoj ta them, ky ekip nuk do ta diskutojë mbijetesën.

Mendoni që Vllaznia po mbahet dhe po përdoret politikisht nga bashkia dhe është ky motivi që nuk po privatizohet?

Nuk di nëse po e përdorin. Kjo nuk më përket mua, por unë di të them vetëm se Vllaznia duhet që të lëshohet sa më parë nga Bashkia. Unë kam luajtur dhe kam qenë pjesë e ekipit në kohën e presidentëve dhe në kohën e bashkisë. Mund të them se, në kohën që kemi qenë me një president në krye, kemi qenë gjithnjë pjesëmarrës në Kupat e Europës, ndërsa nën drejtimin e bashkisë kemi luftuar për mbijetesë.

Domethënë privatizimin e shihni si zgjidhjen e vetme?

Prandaj e kam thënë gjithnjë, që klubi duhet të privatizohet. Nëse do të kishte skuadra një president, Cungu do të kishte më shumë rezultate dhe Vllaznia do të kishte qenë më lart në renditje. Ndaj u bëj thirrje që të bëjnë maksimumin që ky klub të kalojë në duart e një privati, por të fortë financiarisht dhe jo në duart e një privati dosido.