Sulmuesi shkodran Sindrit Guri ka lënë menjëherë shenjë në kampionatin belg me fanellën e Ostende që në sfidën e parë në fushën e lojës. Një përgjigje perfekte ndaj të gjithë skeptikëve që mendonin se klubi belg duhej të kërkonte një tjetër lojtar për vijën e parë të sulmit.

Dy golat e shënuar sot ndaj Bryzh ishin një tjetër provë e aftësive të sulmuesit i cili ka ndryshuar edhe mënyrën e lojës që kur drejtimin e skuadrës e ka marrë norvegjezi Ingebrigtsen.

Ky i fundit i ka besuar sulmuesit, ndryshe nga Verhejen i cili kishte ide të tjera loje. “Trajneri më ka thënë që të qëndroj në shtyllën e dytë, por ndonjëherë duhet t’i ndjesh situatat si një sulmues”, shpjegoi Guri mënyrën se si gjeti rrjetën dy herë në këtë sfidë.

“Ndryshe nga sezoni i kaluar? Po, e pranoj edhe unë gjithashtu. Një sulmues që shënon është i lumtur, jam më i lirë edhe në mendje dhe kjo më jep më shumë besim. Edhe trajneri më jep më shumë besim. Tani trajneri thotë se krosimet duhet të vijnë te unë dhe të luajmë futboll. Në sezonin e kaluar ishte ec, ec, ec…

Ndjehem shumë më mirë me trajnerin aktual. Duhet ta pranoj me sinqeritet që nuk ndjeja vetëbesim në sezonin e kaluar, ndaj nuk mund të them gjë tjetër veçse faleminderit”, deklaroi Guri pas sfidës për mënyrën se si është trajtuar nga tekniku i ri që ka marrë drejtimin e Ostendes. /vipsport/