Sindrit Guri arriti që pas një sezoni mjaft të mirë me Kukësin, të bënte një hap të madh në karrierë dhe u transferua në Belgjikë, ku firmosi me Ostenden. Sulmuesi shkodran e nisi mirë aventurën belge duke shënuar ndaj Anderlehtit, megjithatë gjërat nuk shkuan shumë mirë për të dhe provoi disa herë stolin.
Në një intervistë të dhënë për“VipSport.al”, Guri u shpreh se edhe ai vetë nuk ndihet i kënaqur me sezonin e fundit, megjithatë ka besim se këtë sezon do të tregojë vlerat e tij. Guri foli edhe për merkaton dhe ndonjë transferim të mundshëm, ndërkohë që pranoi se Kombëtarja mbetet për të një prioritet.
Sindrit, pak javë më pare u mbyll kampionati i parë jashtë vendit për ty. Si e përshkruan sezonin e kaluar?
Të them të drejtën nuk ishte sezoni që unë doja, por më ka shërbyer shumë për këtë sezon dhe e kam kuptuar më mirë futbollin belg.
Sa mendon se ka ndikuar ose edhe mund të ndikoje për të ardhmen kjo aventurë belge?
Mendoj se do të ndikojë për mirë sepse në këtë sezon e shoh edhe veten se jam shumë më i përshtatur se sezonin e parë.
A e prisje të ishte një kampionat i tillë apo pretendoje se është më i lehtë ose më i vështirë?
Që ishte i vështirë e dija, por gjithçka ka të bëjë me ambientimin dhe të kap ritmin këtu. Pastaj, besoj se gjithçka do të jetë më e lehtë për mua.
Cilat janë synimet e Gurit për sezonin e ardhshëm?
Synimet e një sulmuesi dihen: Duhet të shënojë sa më shumë dhe shpresoj t’ia arrij këtë vit.
A ka interesime merkatoje gjatë kësaj vere dhe a ke menduar të lëvizësh?
Kam pasur interesime nga klube te tjera, si nga Belgjika po ashtu edhe jashtë saj, por mendoj se duhet ta provoj dhe një vit këtu sepse në klub kanë shumë besim në aftësitë e mia. Shpresoj që këtë besim që kanë te unë, t;’ua shpërblej më së miri këtë vit.
Me cilin ke pasur afrimitet më shumë në skuadër dhe kush të ka ndihmuar më shumë?
Të them të drejtën më kanë pritur shumë mirë dhe me të gjithë kam raporte të mira.
Është Kombëtarja një prioritet për Gurin, apo vëmendjen e ka karriera me klubin?
Normalisht që Kombëtarja është prioritet sepse është nder çdo ndeshje që je në fushë. Varet shumë se çfarë jap me klubin këtu pasi janë dy gjëra që lidhen me njëra-tjetrën.
Sa të vështirë e ka një futbollist i Superiores të shpërthejë jashtë?
Thjesht mendoj që problem është përshtatja dhe të kapë ritmin sa më shpejtë. Nuk mendoj se është një nivel i papërballueshëm dhe në Shqipëri ka plot futbollistë që mund të luajnë jashtë./vipsport/