Skuadra e Partizanit është rikthyer te suksesi, përmes fitores së shënuar mbrëmjen e të shtunës në përballjen ndaj Kamzës, në shifrat 1-0. Goli i vetëm i takimit u realizua nga Telushi në të 47’, në një ndeshje të dominuar nga Partizani, të paktën për nga rastet flagrante për gol, në dispozicion të të kuqëve.

Këta të fundit në “Selman Stërmasi” u detyruan të mundin jo vetëm kundërshtarin e ngjeshur në mbrojtje, por edhe fatin, që i ka ndalur të paktën në dy raste, nëpërmjet shtyllave, sikurse dhe arbitri me anullimin e golit të Bardhit, për pozicion jashtë loje.

Nderkohe, një gol i shënuar nga Gjergji Muzaka në minutën e 29-të i ka mjaftuar Skënderbeut për të marrë një fitore të çmuar 1-0 ndaj Kastriotit luftarak.

Stavri Nica kishte premtuar betejë dhe e mbajti fjalën, sepse Kastrioti luajti një ndeshje shumë dinjtoze, duke treguar se me pak fat mund të afrohet shpejt me zonën e mbijetesës, edhe pse mbetet në fundin e tabelës dhe po izolohet javë pas jave.

Skënderbeu vinte nga një fitore e madhe ndaj Partizanit dhe nisej favorit i madh, por duket se i duhen ndeshje të nivelit të lartë për t’u impenjuar në maksimum.

Gjergji Muzaka zgjidhi gjithçka me golin e shënuar në pjesën e parë, por goleada e pritur nuk erdhi, sepse Kastrioti luftoi deri në fund dhe Skënderbeu nuk ishte në ditë perfekte.

Në fundin e ndeshjes Kastrioti mori zemër dhe sulmoi me të gjitha forcat, ndërsa Bregu humbi në fundin e shtesës shansin për të shënuar golin e dytë, edhe pse porta ishte bosh.