Janë luajtur pesë sfida nga java e 10-të në Bundesligën gjermane dhe rezultatet surprizë nuk kanë munguar. Befasia më e madhe vazhdon të jetë Bajerni i Mynihut, që ka bërë sot një tjetër hap fals në shtëpi.

Bavarezët vuajtën kundër Frejburgut dhe golin e avantazhit e gjetën vetëm në minutën e 80′. Goli i Gnabri mendohej se do t’iu jepte një fitore shumë të vështirë djemve të Niko Kovaç, por Frejburgu nuk u dorëzua dhe barazoi në limite, duke marrë një pikë me vlera në “Allianz Arena” dhe duke ngritur shumë pikëpyetje mbi ecurinë e Bajernit.

Rivalët kryesorë të bavarezëve, Borusia Dortmundi ka marrë një tjetër fitore dhe shton distancën e pikëve në krye të tabelës. Ka mjaftuar një gol nga Marko Rojs që verdhezinjtë të marrin tri pikët përballë Volsburgut, në fushën e këtyre të fundit.

Bundesliga, java 10

Volfsburg – B. Dortmund 0-1 (Rojs 27′)
B. Mynih – Frejburg 1-1 (Gnabri 80′ / Holer 89′)
Ausburg – Nuremberg 2-2 (Finbogason 11′, Shmid 59′ / Fuksh 54′, Mul 89′)
Shalke – Hanover 3-1 (Bentaleb 57′, Embolo 71′, Uth 85′ / Vejdant 70′)
Leverkuzen – Hofenhaim 1-4 (Belarabi 31′ / Nelson 19′, Joelinton 34′ 73′, Grifo 49′)