Ditmar Bicaj është kthyer në një lojtar vendimtar në radhët e skuadrës së Teutës. Tri gola deri më tani, madje në dy sfida mjaft delikate. I ka shënuar Skënderbeut në “Niko Dovana”, në fitoren 2-0 që ka arritur skuadra e tij në 29.09.2018 si dhe dje i ka shënuar Tiranës, madje dy gola, atëherë kur rezultati ishte 0-1 në favorin e bardhebluve.

Bicaj ka menduar që të nxjerrë nga “balta” durrsakët, ndërsa ka shënuar dy gola. Në një intervistë për “Vipsport.al”, Ditmar Bicaj ndihet i lumtur që i ka dhënë 3 pikët skuadrës së tij, e cila tashmë është future në “vallen” e ekipeve që luftojnë për kreun.

-Bicaj, dy gola ndaj Tiranës me vlerën e 3 pikëve. Si ndiheni pas fitores ndonëse pati edhe kritika?!

Është shumë e bukur dhe e veçantë që të shënojë një mbrojtës, e sidomos dy gola që i dhanë në fund 3 pikët skuadrë. Jam shumë i lumtur dhe më vjen mirë për këtë gjë. Pastaj nuk është hera e parë që shënoj, këtë sezon kam realizuar edhe ndaj Skënderbeut. Kritikat?! Unë bëj punën time, krahas mbrojtjes unë po “flas” e me gola tashmë!

-Katër javët e fundit, Teuta duket në rrugë të mbarë…

Më gëzon fakti që po luajmë mirë dhe po marrim rezultate pozitive. Mendoj se, tashmë skuadra është konsoliduar, ndonëse ka ende për të treguar. Ke fituar besim dhe këtë e treguam edhe ndaj Tiranës.

-Deri ku mund të shkojë Teuta e këtij sezoni, duke pasur në përbërje edhe shumë lojtarë që kanë dalë kampionë si: Bicaj, Progni, Hidi, Osmani e ndonjë tjetër?!

Kjo Teutë e këtij sezoni është e ndërtuar ndryshe. Synimi është që ne të shkojmë në Evropë dhe këtë duam të gjithë aktualisht, pastaj sa më shumë aq më mirë, por gjatë rrugës mund të kërkojmë edhe më tepër sepse mundësitë i kemi. Kemi lojtarë me shumë eksperiencë dhe kjo e ndihmon ekipin në ndeshje të veçanta si edhe ndodhi me Tiranën.

-Si e shikoni këtë sezon betejën e kreut?

Një garë mjaft e fortë, me shumë konkurrencë. Skuadrat janë pa shumë diferenca dhe kjo duket qartë deri tashmë. Ne do të japim më të mirën në çdo ndeshje dhe synojmë që të mos ndalemi./vipsport/