Dy gola që në ndeshjen e parë në kampionat, një përgjigje ashtu siç duhet për të gjithë ata që kanë vënë në dyshim cilësitë e Sindrit Gurit. I transferuar nga kampionati shqiptar me famën e një bomberi të mirëfilltë, viti i tij i parë të Ostende nuk ishte ashtu siç priste sulmuesi shqiptar që kishte vështirësi të përshtatej me ritmin dhe mënyrën e lojës në Belgjikë.

Por klubi nuk hoqi dorë nga lojtari dhe Guri tregoi se drejtuesit vepruan drejt në këtë edicion të dytë, duke dhuruar një paraqitje të shkëlqyer ndaj Bryzh në ndeshjen e të shtunës dhe duke ndihmuar skuadrën e tij të merrte tre pikë të rëndësishme në këtë fillim kampionati. Në fushë ishte një lojtar ndryshe nga ai i vitit të kaluar, me i sigurt në lojën e tij dhe shumë më kërkues pranë portës, një 9 si fanella që mban tani dhe jo një 10 si ajo e vitit të kaluar.

Për Vip Sport sulmuesi ka treguar ndryshimin që ka pësuar në këtë vit, sa rëndësi ka për të ky fillim i dhe një këshillë për talentet shqiptarë që shkojnë jashtë e pastaj ndeshen me vështirësi. Sigurisht, pa harruar këtu edhe dëshirën për të qenë përsëri pjesë e përfaqësueses kuqezi…

Gjatë fazës përgatitore kishe dhënë sinjale se ishe në formë por a e mendoje se do të fillojë në këtë mënyrë kampionatin?
Ky ishte fillimi më i mirë i mundshëm dhe tani shpresoj të vazhdoj kështu. Unë kam besimin e klubit dhe çfarë është më e rëndësishme, kam besimin e trajnerit dhe kjo më ndihmon shumë.

Thuajse barazove rekordin e golave të kampionatit të kaluar (3) me vetëm një ndeshje. Ai i ke vënë një shifër si objektiv vetes, apo të ka vënë klubi një të tillë?

Nuk e kam menduar të them të drejtën por shpresoj të shënoj sa më shumë dhe të ndihmoj ekipin të arrijmë objektivat e këtij sezoni. Sa i përket klubit, ai kërkon sa më shumë gola (qesh).

Çfarë ka ndryshuar nga Guri i sezonit të kaluar me atë të këtij sezoni, ku e sheh se je përmirësuar më shumë?

Mendoj se viti i parë ka qenë i vështirë sepse ishte i pari për mua jashtë Shqipërisë dhe nuk ishte i lehtë ambientimi këtu. Por mendoj se tani jam përshtatur shumë mirë dhe trajneri më ka dhënë shumë besim dhe kjo ndikon shumë në psikologjinë time.

Sa e vështirë është të konfirmohesh përsëri në një kampionat të tillë meqë je nga të paktët e Superiores që rezistove në ekipin ku u transferove?

Këtë duhet ta tregoj në çdo ndeshje dhe të arrij të shënoj sa më shumë gola. Unë e kam thënë gjithmonë se ka shumë lojtarë cilësorë në Shqipëri që mund të luajnë jashtë, por duhet vetëm pak durim dhe të ambientohen sa më shpejt sepse këtu është ritëm tjetër.

A e sheh këtë fillim dhe faktin që je shumë më shpejt në aktivitet se të tjerët si një mundësi më shumë për të qenë pjesë e kombëtares?

Mendoj se duhet të vazhdoj kështu të shënoj dhe të luaj sa më shumë dhe kombëtarja do më shohë edhe mua.

Ke pasur kontakte me stafin e përfaqësueses?

Jo, nuk kam pasur fare kontakte me askënd nga përfaqësuesja.