Opinionisti sportiv Gëzim Sinemati, mendon se ndeshja e parë në stadiumin e ri tregoi problemet e vjetra në kombëtare. Në “Procesi Sportiv”, ai deklaroi se impianti ishte mbushur me tifozë që nuk kishin lidhje me kombëtaren.

“Mos të flasim me superlativa për stadiumin se në Europë ka më të bukur, të gëzohemi që është më i mirë se ai që kemi pasur. Kam parë kolegë që thanë është më i bukuri që kanë parë, por e dimë se është me problemet e veta e nuk ka mbaruar ende, t;ia dimë për faleminderit UEFA-s, që e pranoi kështu.

“Qemal Stafa” është “Uembli” shqiptar, jo ky, Ky deri tani është histori politike e jo sportive, nuk i ka dhënë ende atë që i dhuron futbollit shqiptar. Në stadium nuk ka qenë njerëzit e futbollit, ndeshjet e parë e kanë marrë njerëz që i duhen për t’i dhënë lekë kombëtares. Merremi me dritë e fishekzjarrë, por kjo është kombëtarja më e shtrenjtë në Europë nga çmimi i biletës.

Në fillim, kur u hodh shorti e thamë jemi më mirë se Turqia, pastaj thamë do kalojmë Islandën e tani në fund mbetet stadiumi ajo që kemi fituar. Unë them se ishte stadium i ri e lojë e vjetër.

Pse e paguajmë kaq shtrenjtë trajnerin e huaj? Nuk e kuptojmë nëse është vlera reale. Panuci bënte eksperimente, De Biazi ishte rekordmen eksperimentesh, nuk e di ende se si bëhet këtu.

Këtu dështon me Andorrën, i japin 600 mijë euro. Si pretendojmë ne që lojtarët të luajnë mirë me Francën kur neglizhuan dhe nuk dhanë as minimumin me Andorrën ”, tha Sinemati. /vipsport/