Futbollistët e Vllaznisë kanë kthyer në Shkodër një trofe që mungonte prej 13 vitesh e po bëhen gati të luajnë përsëri në aktivitetet ndërkombëtare me kuqeblutë. Por këto suksese në një edicion për t’u kujtuar gjatë, kanë bërë lojtarët e Vllaznisë emra të rëndësishëm edhe në merkato, me shumë prej tyre që janë bërë objekt i ofertave nga klube jashtë Shqipërisë.

Dy prej këtyre emrave janë Erdenis Gurishta dhe Ardit Hoxhaj, të cilët kanë pranuar se kanë marrë oferta e kanë lënë të hapur mundësinë që të largohen pas aventurës evropiane me Vllazninë.

“Momentalisht jam në kontratë me Vllazninë, kam edhe dy vite të tjera kontratë. Deri tani ka pasur interesim nga klube të huaja, por jam i Vllaznisë dhe derisa klubi të vendosë për të më shitur, unë do të bëj maksimumin për të. Personalisht do të doja të luaja në Kupat e Europës me Vllazninë. Pastaj të shohim,

Jam lakuar për pjesën e transferimit në Turqi. Ka patur edhe ofertë zyrtare. Kisha klauzolë dhe mund të ndodhte. Por dëshira ime është që si i fillova, të çoja gjërat deri në fund. Mendoj se përfunduam një pjesë të objektivit e projektit që vazhdon. Tani dëshira është të shkoj jashtë e të provoj veten në nëj kampionat më të fortë. Futbolli jashtë të ofron edhe gjëra të tjera”, pranoi Hoxhaj në “Sport Magazine”.

Ndërsa Gurishta tregoi për biseda konkrete me klube në Ukrainë e Bjellorusi, duke lënë të kuptohet se shumë shpejt mund të ketë të reja në këtë aspekt.

“Te Vllaznia kam rinovuar kontratën, jam pjesë e këtij klubi dhe është e vështirë të ndërroj ngjyra, e qytet në Shqipëri. Të ardhmes nuk i dihet, jam profesionist, por më është plotësuara gjithçka këtu, është klubi nga i cili jam ky që jam.

Sigurisht, do të dëshiroja të provoja një kampionat më të fortë jashtë. Jam në kontakte me menaxherë jashtë, nëse bien në dakordësi me klubin, nëse paguajnë klauzolën, mund të ndodhë.

Jo në Kroaci, kontaktet i kisha në Ukrainë dhe Bjellorusi në kohët e fundit. Emrat nuk ka pse t’i them për sa kohë që nuk ka gjë zyrtare. Por do të dëshiroja të luaja Kupat e Europës me Vllazninë, besoj te kalimi i turit, e pastaj të shohim çfarë do të ndodhë”, tha kapiteni i kuqebluve. /vipsport/