Sulmuesi shkodran i Kukësit, Sindrit Guri, është në qendër të merkatos dhe shitja e tij në verë është e sigurt.

Është në interes të të gjitha palëve: lojtari kërkon të luajë jashtë Shqipërisë, të rritet profesionalisht dhe të përfitojë më shumë financiarisht, po ashtu edhe klubi kuksian, që pritet të marrë një shumë të majme.

Guri kërkohet në disa kampionate europiane, trajneri Pakult ua ka sugjeruar austriakëve të Rapidit të Vjenës, ndërkohë që tashmë vjen një ofertë edhe nga Anglia.

“Panorama Sport” bën të ditur se Shefild Uensdej, është gati t’i paguajë Kukësit 600 mijë euro për sulmuesin. Kjo skuadër merr pjesë në Championship dhe me të aktivizohet edhe sulmuesi i Kosovës, Atdhe Nuhiu.

Një ofertë e mirë dhe nga një kampionat i fortë, por presidenti i Kukësit, Safet Gjici, kërkon më shumë.

Kuptohet që në këtë çështje vendos edhe dëshira e vetë lojtarit, i cili nuk kërkon të nxitohet, pasi ofertat do të jenë të shumta edhe në vazhdim. / Vipsport/