Enur Totre është një nga lojtarët më të mirë të Tiranës dhe normalisht është në shënjestër të skuadrave të ndryshme.
Vetëm në sezonin e parë te Tirana, lojtari ka ditur që të lërë shenjë, sepse ka qenë te më të mirët.
“Panoramas Sport” zbulon se futbollisti është në shënjestrën e Shaktjor Soligorsk në Bjellorusi.
Të paktën kështu thonë burime pranë bardhebluve.
Për momentin, nuk ka asgjë konkrete, por është e sigurt që Tirana nuk e lë të lirë falas lojtarin dhe nëse kërkesa bëhet, atëherë skuadra bjelloruse do të duhet që të paguajë për lojtarin bardheblu.
Dihet që futbollisti vlerësohet shumë edhe në “transfermarkt” dhe një nga ata që ka shumë eksperiencë si në Shqipëri, edhe në Maqedoni.
Për Enur Totren ky ishte sezoni i parë te Tirana. Vlera e Totres në “Transfermarkt” aktualisht është 425 mijë euro.
Mesfushori ka luajtur 38 ndeshje, ka shënuar 5 gola, ka dhënë 6 asiste dhe është aktivizuar 3124 minuta.
Për ata që nuk e dinë, Enur Totre ka luajtur tri “play off”-e: dy në Europa League dhe një në Champions League.
LARGIMET PAS EUROPËS – Tirana do të largojë yjet e saj për t’i shitur në skuadra më të mira, por vetëm pas Europës.
Në një farë mënyre, bardheblutë duan që të luajnë me skuadër të plotë në Europë dhe në këto kushte, nuk do të lejojnë asnjë prej yjeve të ikë.
Pra, Seferi e lojtarët e tjerë, edhe pse mund të kenë oferta, do të ikin nga Tirana vetëm pasi të luhen ndeshjet europiane. Tirana kërkon të mos prishë skuadrën që ka ndërtuar këtë sezon.
Në këtë moment janë shumë lojtarë për të cilët ka interesim dhe mund të largohen në fund të sezonit. Bëhet fjalë për Taulant Seferin, ndërsa në syrin e menaxherëve kanë rënë edhe Redon Xhixha, Enur Totre dhe Vesel Limaj.