Univ.Craiova, kundërshtari i Vllaznisë në turin e dytë kualifikues të Conference League, hapi dje zyrtarisht sezonin 2022-23. Skuadra rumune bëri debutimin në kampionatin vendas, ku në javën e parë të edicionit kishte përballë skuadrën e Sepsi Sf.Gheorghe. Ndeshja u mbyll në shifrat 2-2 dhe mes tensionit në fund, ku Craiova u ndëshkua me karton të kuq.
Por duhet theksuar se kundërshtari i shkodranëve zhvilloi një ndeshje shumë pozitive. Pavarësisht se u godit nga një gol i minutës së 89-të, që i hoqi pikët e plota në ndeshjen e parë të kampionatit. E po ashtu u konfirmuan edhe karakteristikat e kësaj skuadre. Që është shumë e rrezikshme në pjesën sulmuese.
Kjo shihet edhe nga golat e rastet e shumtë që krijoi kundër Sepsit. Por gjithashtu edhe brishtësia në mbrojtje. Craiova është një skuadër që pëson gola dhe që mund të goditet në momente të ndryshme të takimit. Megjithatë pjesa sulmuese është arma e fortë e rumunëve e po ashtu futbollistët që vijnë nga stoli.
Ku autori i dopietës së djeshme ishte Gustavo, që u fut në fushë në minutën e 20-të, pas një dëmtimi të Roguljic. E po ashtu dyshja Ivan dhe Koljic apo edhe Markoviç përbëjnë një rrezik konkret për mbrojtjen kuqeblu. Megjithatë gjithçka se çfarë do ndodhë do e shohim ditën e enjte në stadiumin “Loro Boriçi” në përballjen mes Vllaznisë dhe Univ.Craiova, në turin e dytë të Conference League.
Endri ÇINARI