Migen Memelli do të ketë në përbërje një tjetër Vllazni këtë sezon, ndryshe nga ai ekip që ishte në kampionatin që sapo u mbyll. Kjo tregon ndryshimet e shumta që janë ndërmarrë në këtë skuadër, ku sigurisht revolucioni më i madh ndodhi tani për sezonin që sapo lamë pas, teksa sërish rezultoi një dështim.
Në fakt këtë sezon, “muzika” do të ndryshojë dhe Vllaznia do të bëhet pothuajse nga fillimi, duke mos pasur shumë futbollistë në dispozicion nga sezoni paraardhës. Në fakt, kur skuadra vjen nga një sezon i dështuar, ata që e pësojnë janë edhe vetë futbollistët, sepse nuk kanë qenë brenda pritshmërive. Një situatë e tillë ishte te Vllaznia këtë vit, sepse ekipi dështoi. Prandaj, edhe largimet janë të konsiderueshme.
Me përfundimin e sezonit, i cili nuk ishte i pritshëm në Shkodër, kjo për faktin se nuk u arrit objektivi maksimal i caktuar, pra titulli kampion, trajneri Migen Memelli dhe drejtori sportiv Elvis Plori rinisën gjithçka nga fillimi për të rikthyer një ekip pretendent, ashtu siç ka qenë përgjatë viteve të fundit në elitën e futbollit shqiptar.
Për futbollistët që kanë një kontratë të vlefshme, nuk duket se do të ketë ndonjë problem, sepse të gjithë do të jenë pjesë e Vllaznisë për kampionatin e ardhshëm. Ndërkohë, me mbylljen e këtij edicioni, largimet nuk janë të pakta, pasi deri më tani bëhet fjalë për 13-futbollistë që e kanë mbyllur me shkodranët.
Fillimisht u larguan kapiteni Erdenis Gurishta, Herald Marku, Liridon Latifi, Ardit Hoxhaj, Kaina Nunesh, Ante Aralica, Dajan Shehi, Arsid Kruja, Elvedin Heriç, Darko Bulatoviç, ndërsa pas tyre ikën edhe Fjoart Jonuzi dhe Kristijan Vulaj, me 12-të prej tyre të cilëve u mbaroi kontrata, ndërsa fantazisti shqiptaro-malazez nuk ishte më në planet e klubit. Me pak fjalë, më shumë se një formacion i tërë është larguar dhe Vllaznia do të duhet të gjejë patjetër zëvendësuesit e tyre.
Maringlen ZHIVANI