Fitorja është e vetmja alternativë që mund të zgjidhë të gjitha problemet e ekipit e sidomos qetësimin e situatës. Pas barazimit me Besën, nuk ka patur asnjë masë ndëshkuese për skuadrën. Por në qoftë se ecuria negative apo një humbje me vlonjatët vazhdojnë, atëherë që do të ketë medoemos lëvizje tek drejtuesit e ekipit për të marrë masat e duhura administrative. Përveç këtij fakti, një tripikësh do t’i jepte Vllaznisë një tjetër renditje në klasifikimin e përgjithshëm e kryesisht duke u afruar ndjeshëm me vendet e para që mundësojnë pjesëmarrjen në Kupat e Europës. Aktualisht shkodranët gjenden në kuotën e 16 pikëve, pra me 19 pikë, dhe trajneri Shpëtim Duro do të ndihet shumë më komod në punën e tij.
Problemi – Për të arritur një fitore, kuqeblutë do të duhet patjetër të rregullojnë problemet që kanë shfaqur, sidomos në repartin e sulmit. Ndonëse kjo është një “sëmundje” që po zgjat që nga fillimi i sezonit, trajneri Duro është duke punuar maksimalisht në stërvitje që të mund të rikuperojë disi sulmuesit e tij. Vllaznisë tashmë i është rikthyer si një “gangrenë” mos shënimi përpara portës kundërshtare. Ky fakt është një presion më shumë që do të ndikojë në anën psikologjike të lojtarëve por dhe në arritjen e rezultatit të dëshiruar. Duke qenë mëse të vetëdijshëm për aftësinë shënuese të ekipit të Flamurtarit, kuqeblutë e ndjejnë veten shumë të rrezikuar për të pësuar një tjetër humbje. Asnjë nga sulmuesit nuk jep siguri ndonëse në stërvitjen e këtyre ditëve është parë një sinjal pozitiv. Gjithsesi, sfida me Flamurtarin do të jetë shumë përcaktuese për të ardhmen e ekipit dhe fitorja është vetëm një “detyrë shtëpie” që duhet realizuar nga Vllaznia.
Anton ZALLI