Shkruar nga Endri ÇINARI
Pas një periudhe shumë pozitive rezultatesh, Vllaznia duket se po e menaxhon në mënyrën më të mirë momentin e saj në këtë fazë të sezonit. Kuqeblutë kryesojnë kampionatin dhe së fundmi kanë siguruar edhe një vend në gjysmëfinalet e kupës së Shqipërisë, duke konfirmuar se janë një nga skuadrat më në formë të momentit në futbollin shqiptar. Megjithatë, pavarësisht këtij momenti të artë, në kampin shkodran mbizotëron qetësia dhe përqendrimi maksimal te sfidat që vijnë.
Fitorja e fundit ndaj Bylisit është kaluar pa shumë zhurmë në ambientin kuqeblu. Skuadra nuk ka humbur kohë me festime, pasi kalendari i ngjeshur dhe objektivat e mëdha kërkojnë fokus të plotë. Menjëherë pas ndeshjes, mendimet janë zhvendosur te përballja e radhës në kampionat, një tjetër provë e rëndësishme në rrugën drejt objektivave të sezonit.
Në javën e 27-të të Kategoria Superiore, shkodranët do të udhëtojnë drejt Vlorës për t’u përballur me Flamurtarin. Nëntë herë kampionët e vendit do të kërkojnë të vazhdojnë ecurinë pozitive edhe në këtë transfertë, në një sfidë që në letër mund të duket e favorizuar për ta, por që në realitet kërkon përqendrim maksimal.
Edhe pse vlonjatët ndodhen në fundin e renditjes, në kampin e Vllaznisë askush nuk e nënvlerëson këtë kundërshtar. Historikisht, përballjet mes këtyre dy skuadrave kanë qenë gjithmonë të forta dhe me shumë rivalitet, ndaj shkodranët presin një ndeshje të luftuar deri në fund.
Pikërisht për këtë arsye, në radhët e Vllaznisë fokusi është i plotë te rezultati. Objektivi është i qartë: të merret fitorja dhe të vazhdohet me hapa të sigurt në krye të kampionatit. Me skuadrën në formë dhe me moral të lartë, skuadra e drejtuar nga Martini synon të konfirmojë edhe një herë ambiciet e tyre në këtë sezon.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


