Një shuplakë shumë e rëndë, me peshën e asaj që mund të hapë një plagë shumë të madhe në një sezon që pritej të përfundonte shumë ndryshe, të paktën me kënaqësinë e të rikthyerit në një finale europiane. Por jo, sërish Juventusi konfirmohet i dobët në Europë, duke i mohuar vetes që të kishte një shans të artë që si fitues i Ligës së Europës të mund të kishte garancinë e kualifikimit më të shkurtër drejt Champions-it.

Por jo, sërish do të duhet shumë sakrificë deri në fund në kampionat dhe çfarë është më e keqja, nuk dihet nëse vendi i dytë do t’i mjaftojë ose jo Juventusit për të mbetur mes katër më të mirave. Në horizont janë dy dënime që priten, një sivjet për çështjen e plusvalencave, që mund ta zbresë sërish jashtë katërshes së parë. Ja kur do t’i vuajë dënimet e mundshme.

E vetmja fitore e Juventusit për dy gjyqet e hapur është se duke parë datat e seancave kur do të bëhen, do të shmangë që të ketë një dopio dënim për këtë vit. Për sezonin aktual, bardhezinjtë do të vuajnë vetëm dënimin me pikë të çështjes së plusvalencave.

Ndërkohë, nëse dënohen edhe nga çështja e “pagave”, vendimi do të zbatohet sezonin e ardhshëm, duke qenë se gjyqi për to do të zhvillohet në 26 tetor dhe mund të zgjasë edhe më shumë sesa thjesht një seancë e vetme.

Madje, kjo çështje nga disa ka nisur që të shihet edhe si prishje imazhi nga disa futbollistë, kështu që, që tani disa yje kanë nisur të meditojnë një largim të mundshëm.

Madje, këtë fakt e konfirmoi vetë një prej shefave të klubit, Kalvo, përpara sfidës në Spanjë: “Ne po flasim me disa prej lojtarët tanë në skadencë kontrate për rinovime, siç janë Di Maria, Kuadrado apo edhe Rabio. Por nëse nga lojtarët shohim se janë të lidhur ngushtë me klubin tonë, jemi ne drejtuesit që nuk dimë se çfarë mund të ndodhë pas vendimit për gjyqet e hapura ndaj nesh, kështu që edhe neve (në aspektin ekonomik) na janë lidhur krahët”.

ALEGRI KONFIRMOHET – Shkurt, një frikë më e madhe dhe shqetësuese sesa kjo nuk mund të kishte, edhe pse ditën e djeshme, pak orë pas eliminimit nga Liga e Europës, presidenca bardhezi ka bërë konfirmimin e parë.

Ai do të jetë trajneri Masimiliano Alegri, një vendim që ka ndarë menjëherë në gjysmë tifozërinë bardhezi. Loja dhe idetë e tij kanë lodhur shumë tifozë, por ndoshta edhe lojtarë brenda grupit të “Zonjës së Vjetër”, duke bërë që përveç pasigurisë se ku dhe për çfarë do të luajë Juventusin sezonin e ardhshëm, të jenë skeptikë edhe për të vazhduar bashkëpunimin me Alegrin.

YJET MEDITOJNË – Ndër ata që po mendojnë largimin janë ajka e Juventusit. Ata në fund të kontratës si Adrien Rabio duken të joshur për të lënë Torinon, sepse mbase pa Champions-in edhe paratë nuk do të bëjnë diferencën.

Vlahoviç gjithashtu ka ofertat nga klubet më të mira të botës si Bajerni i Mynihut dhe Reali i Madridit, kështu që pse të vazhdojë te Juvja, ku edhe duket se nuk po gjen dot mesataren e shënjimit që kishte te Fiorentina, ndoshta prej ideve të Alegrit.

Në këto shina janë edhe të tjera, si Angel di Maria apo edhe Huan Kuadrado, lojtarë këta që nëse Juventusi i humb, do ta ketë të vështirë që t’i zëvendësojë dhe të ketë të njëjtën cilësi. Prandaj, në Torino tifozët kanë nisur që të mbajnë sytë nga qielli…