Futbolli turk është i kapur plotësisht nga bastet dhe trukimet. Kështu duket të paktën nga vendimet e fundit të shtetit turk dhe të Federatës së Futbollit të këtij vendi.
Një gjykatë në Stamboll ka vendosur sot të mbajë në arrest me burg presidentin e klubit të Ejupspor, Murat Ozkaja, si dhe të 7 gjyqtarëve, të cilët akuzohen se kanë vendosur baste mbi aktivitetet futbollistike në vend. Mbi ta rëndon akuza se mund të kenë ndikuar direkt në rezultatet e ndeshjeve të tyre.
Por jo vetëm kaq, pasi Federata Turke e Futbollit, ka publikuar sot një listë me 1204 emra futbollistësh të cilët rezulton se kanë vënë baste të paktën një herë në ndeshje, pas një hetimi të gjerë që është kryer në vend në bashkëpunim me organet policore. Aty ka lojtarë të Gallatasarajt, Beshiktashit, Trabzonsporit e thuajse të të gjithë skuadrave të tjera nga elita e futbollit turk, deri te amatorët.
Pritet që çdo rast të shihet me vëmendje dhe të trajtohet në javët në vijim, teksa për momentin janë shtyrë kampionatet e kategorive të dyta dhe të treta.







