Ka përfunduar me fitoren e vendasve, “Klasikja” e basketbollit mes Vllaznisë dhe Tiranës e luajtur në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”, në Shkodër.

Takimi mes dy skuadrave pritej me interes tepër të lartë në Shkodër, teksa nuk mungoi as prezenca e personaliteteve politike si presidenti Ilir Meta dhe Kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi.

Vllaznia dominoi pothuajse gjatë gjithë lojës ndaj Tiranës, të ndihmuar edhe nga tifozët të cilët e kishin mbushur pallatin e sportit ditën e sotme. Perioda e parë e takimit u mbyll me rezultatin 20-12 për vendasit, të cilët vazhduan performancën e mirë dhe vulosën pjesën e parë me rezultatin 52-27.

Perioda e tretë gjithashtu nuk prodhoi surpriza edhe pse bardheblutë u munduan të ishin më efikas, rezultati shkoi në 75 me 52. Kuqeblutë ishin në ditën e tyre më të mirë dhe arritën ta mbyllnin takimin me rezultatin final 96-68. Një ndeshje tepër emocionuese, e cila argëtoi të gjithë të pranishmit në pallatin e sportit./newsport/