Neritan Novi mohon kategorikisht të ketë goditur lojtarin që ai e ka pjesë të skuadrës, Albi Selimaj. Trajneri gjirokastrit i Butrintit ka treguar dje për “Panorama Sport” të gjithë zanafillën e sherrit, që nga ndërhyrjet për një sulmues nga Kili dhe deri te goditja që ai ka marrë në tunel.

“Kjo është një histori ku unë jam shumë i qetë dhe i pastër nga gjithçka që aludohet në portale lidhur me emrin tim. E vërteta e vetme e kësaj ngjarjeje është kjo që do të them për ju.

Albi Selimaj më kërkonte shpjegime pse nuk e aktivizoja dhe i thashë me qetësi, që të priste se do të komunikonim më pas për këtë çështje. Me insistim lojtari po më thoshte që ‘dua sqarim tani’. Ishte një skenë jo e hijshme, sepse po shikonin edhe tifozët e pranishëm në stadium.

Në këtë moment zbres shkallët që të çojnë në dhomat e zhveshjes dhe ndërkohë Selimaj më afrohet bashkë me vëllanë e tij, i cili më goditi direkt me grusht. Nga ai çast, lojtari dhe vëllai i tij nuk e kanë marrë vesh nga janë futur dhe nga kanë dalë, pasi është bërë një kaos i vërtetë në tunel”, deklaroi Novi.