Mesfushori i Kombëtares shqiptare, Enis Çokaj, pjesën e dytë të sezonit futbollistik do ta zhvillojë në Kroaci. Çokaj nënshkroi për Osijekun dje, ku edhe është prezantuar.

Mesfushori shqiptar veshi fanellën e Lokomotivës së Zagrebit nga vera e vitit 2019 deri në verën e vitit 2022, ku më pas kaloi në Greqi. Çokaj ka mbërritur në formë huazimi nga Panathinaikos deri në fund të sezonit me opsion blerjeje së kartonit të mesfushorit dhe kontratë deri në verën e vitit 2026. Çokaj menjëherë është vënë nën urdhrat e trajnerit Zoran Zekiç.

Duhet theksuar se prej kohësh ish-trajneri i Partizanit ka insistuar që të ketë në ekip mesfushorin shqiptar, të cilit i ka leverdisur ky transferim, me shpresën për të luajtur më shumë dhe për të mos humbur nga radari i trajnerit të Kombëtares, Silvinjo.

Pas prezantimit, Çokaj u shpreh: “Sigurisht që jam i kënaqur. Jam i lumtur sepse erdha këtu, doja që të ndodhte më herët, por duhej të prisnim që gjithçka të përfundonte. Mezi po pres të luaj ndeshjen e parë me fanellën e Osijekut. Falënderoj njerëzit në klub për pritjen e ngrohtë,” ishin fjalët e para të Çokajt.

“Në të vërtetë, Osijeku është një nga klubet më të mëdha në Kroaci, sigurisht që e kam menduar kur u shfaq oferta, të cilën e pranova shpejt. Më vjen mirë që më kërkuan dhe ishin mjaft këmbëngulës, që gjithçka përfundoi në këtë mënyrë, me marrëveshjen e arritur. Është gjithashtu një kënaqësi për mua dhe tani mund t’i përkushtohem sfidave të reja në karrierën time”, tha ai.

Çokaj është gati të luajë në çdo pozicion në mesfushë, ndaj kjo nuk do të jetë problem. “Mendoj se ia dal më së miri në pozicionin e mesfushorit të fundit, pra si numër 6, megjithëse mund të luaj dhe kam luajtur si numër 8 deri më tani. I takon trajnerit të vlerësojë dhe të vendosë se ku do të jem më i dobishëm për ekipin.

Në fakt, gjithçka më përshtatet. Besoj se çdo gjë do të shkojë mirë dhe do ta gjej rrugën e duhur në mjedisin e ri. E njoh mjaft mirë ligën, kam qenë në Lokomotivën për një kohë të shkurtër, por tani me Osijekun dua të bëj shumë më tepër”, përfundoi ai.