E turpshme! Skandaloze! Më shumë se sa për vetë shpalosjen e banderolës për terroristin greek Kostandin Kacifas është heshtja e institucioneve të futbollit italian dhe klubit të Lazios.

Në ndeshjen kundër Milanit të mbyllur me rezultatin 1-1 në “Olimpico”, ultrasi lacialë menduan të sjellin në kujtesë dhe njëherë ngjyrimet e forta politike dhe bindjet e tyre ekstremiste.

Ata shpalosën një banderolë në kujtim të terroristit grek Kostandin Kacifas. Një gjest skandaloz që u pasqyrua me krenari nga ultrasit e ekipit italian. Në të shkruhej data e vdekjes e grekut në tokën shqiptare dhe flamuri i vorio-epirit.

Kacifas u vra nga policia shqiptare për shkak të sulmit që hapi ndaj uniformave blu. Në Greqi, terroristi u kthye në hero sipas një ideologjie dhe mendësie “monotone” të fqinjëve tanë të dashur.

Pjesë të ultrasve të Lazios janë shumë anëtarë me prejardhje greke dhe serbe. Ata njihen në Itali për bindjet e tyre ekstremiste. Gjesti mbetet i turpshëm aq më tepër kur Drejtori Sportiv i Lazios, Igli Tare dhe portieri Thomas Strakosha janë shqiptarë, pa harruar dhe Valon Berishën.

Heshtja e institucioneve italiane të futbollit mbetet një njollë turpi që mbulon futbollin italian, por dhe klubin e Lazios që ende nuk është distancuar nga skena të tilla me përmbajtje raciste.