Skënder Gega u prezantua para mediave si trajneri më i ri i Kukësit. Tekniku i verilindorëve ka thënë se do të mundohet për të rikthyer Kukësin në nivelet më të larta. Ndërkohë nuk mungon edhe një koment për finalen e Kupës së Shqipërisë ku vetëm fitorja e Lacit ndaj Vllaznisë i kalon në Europë.

“Dua të falënderoj presidencën, klubin e Kukësit dhe të gjithë njerëzit që kanë shprehur besimin që ne mund të bashkëpunojmë prapë. Kam kaluar një moment të vështirë në aspektin personal. Thonë që shansi i parë duhet shfrytëzuar mirë, që të kesh dhe shansin e dytë.

Kam përgjegjësi të madhe, ndihem shumë i respektuar e besoj se me punë, përkushtim e korrektësi profesionale, besoj se asnjë gjë nuk mungon që ta çojmë Kukësin aty ku i takon.

Te Kukësi flitet vetëm për futboll. Është bërë investim kolosal edhe me stadiumin e ri. Nesër do të jetë ndeshje shumë e rëndësishme, do të bëjmë tifoz për Laçin në mënyrë që të kalojmë në Europë”, tha Gega. /Sport Ekspres/