Migen Memelli nuk është bërë pishman për largimin nga Skënderbeu. Në intervistën ekskluzive për “Panorama Sport”, ai rrëfen arsyet e këtij vendimi dhe zbulon se çfarë i ka thënë trajnerit të ri të skuadrës korçare, Skënder Gegës. “Po shkon në një klub të madh, jam i bindur që do t’ia dalë”, thotë ndër të tjera Memelli për gazetën.


Përse vendosët që të merrnit këtë vendim?

Duke parë ecurinë e 12 javëve pa fitore, vetëm një barazim, normalisht unë jam një njeri që kam ndjenjë përgjegjshmërie shumë të madhe dhe mendova se ishte më mirë që unë të hapja rrugën dhe të mos bëhesha barrë. Janë edhe 36 pikë në lojë, janë shumë, më besoni.


Po pse nuk e provuat deri në fund meqë janë kaq shumë pikë në lojë?

Sepse gjërat nuk po funksiononin dhe njeriu i parë që sulmohet apo kritikohet në të tilla raste është trajneri. Kur nuk ka rezultate paguan gjithnjë trajneri. Kështu funksionon në gjithë botën me këtë profesionin tonë.

A ka pasur ndonjë arsye tjetër pse u larguat?

Jo, asnjë arsye tjetër.

Keni pasur një bisedë të fundit me Takajn, çfarë i thatë njëri-tjetrit?

Shiko, marrëdhënia ime me Ardjanin, sepse kështu më pëlqen ta thërras, ka qenë e shkëlqyer. Unë i jam mirënjohës për mundësinë që më dha për të drejtuar skuadrën e Skënderbeut. E them këtë, sepse për mua Skënderbeu ka qenë “universiteti” më i mirë se si mund ta filloja unë karrierën si trajner. Dhe nuk mund të kisha “pedagog” më të mirë sesa Takaj në këtë drejtim.


Në ç’kuptim e quani “pedagog”: që ju mbështeste apo që ju ndërhynte në formacion?

Nuk më ka ndërhyrë kurrë në vendimet si trajner dhe as në formacion, por më ka ndihmuar më së shumti të kuptoj dinamikën e klubit dhe se cila duhet të ishte qasja ime në marrëdhëniet me shumë të tjerë.