Reali i Madridit po tregon se është i pandalshëm këtë sezon (7 fitore në po kaq ndeshje). Dhe kampionët e Europës e tregojnë forcën e tyre veçanërisht në pjesën e dytë, gjatë të cilave ata kanë shënuar 14 gola dhe kanë pësuar 0. Forca fizike e skuadrës së Ançelotit jep frytet e saj prej minutës së 60-të. “Sepse Reali vetëm vrapon”, tha Valverde në fund të ndeshjes, ndërsa Havier Aguirre pranoi se skuadra e tij u largua me 4 gola të pësuar, pavarësisht se nuk luajti një ndeshje të keqe.
Ançeloti ka ndërtuar një skuadër, misioni i së cilës është të shohë gjithnjë drejt portës rivale. Pa hequr dorë nga pasimet, vertikaliteti është shenja dalluese e këtij ekipi. Kundër Majorkës ishte e qartë, ndërsa “galaktikët” provuan 22 goditje drejt skuadrës së Muriqit. Në total, forca ofensive e skuadrës madrilene është e frikshme:
133 goditje në 7 ndeshje, mesatarisht 19 për 90 minuta dhe një arsenal i tillë sulmues bëhet gati i pamundur për t’u frenuar. Reali ka shënuar 20 gola këtë sezon, të cilat janë ndarë shumë pabarazisht mes pjesës së parë dhe të dytë. Vetëm gjashtë gola janë shënuar në fraksionin e parë të lojës, ndërsa 14 të tjerët kanë ardhur në pjesën e dytë. Por sulmi nuk është e vetmja pikë e fortë e kësaj skuadre.
Gjithçka nis ngambrojta, presingu që ushtrojnë mesfushorët dhe sulmuesit dhe agresiviteti i mbrojtjes ka bërë që “Mbretërorët” të mos pësojnë asnjë gol në pjesën e dytë. Pesë golat që ata kanë pësuar deri tani këtë sezon janë shënuar të gjithë në pjesën e parë. Ançelotit nuk i pëlqejnë shumë statistikat.
Ai preferon që skuadra e tij të jetë e sigurt në prapavijë. Deri tani 5 golat e pësuar janë një shenjë pozitive, por italiani kërkon më shumë. Më shumë kërkon edhe Kurtua, i cili nuk e fitoi dot trofeun “Zamora” (portieri më i mirë) dhe sigurisht nuk kërkon ta humbasë edhe këtë sezon.