Ajo që u përfol gjatë të gjithë ditës së sotme, është bërë zyrtare nga klubi i Kukësit në darkë. Sulmuesi Mateus Leiria, nuk është më pjesë e verilindorëve. Futbollisti i afruar në verë, përflitej se ishte larguar nga klubi pasi nuk kishte shfaqur nivelin që pritej prej tij.

Por sipas njoftimit të klubit, “divorci” mes palëve ka ardhur si rrjedhojë e kërkesës së futbollistit, për shkak të problemeve familjare që e detyronin të kthehej në Brazil, duke mbyllur para kohe kontratën e tij.

“Futboll Klub Kukësi njofton se futbollisti brazilian Matheus Leiria Dos Santos nuk është më pjesë e skuadrës sonë! Mesfushori i ardhur në merkaton e verës, ka kërkuar nga klubi dokumentacionin për t’u larguar në drejtim të Brazilit duke qenë se nëna e tij është në gjendje të rëndë shëndetësore. I detyruar për të qenë pranë familjes në këtë moment të vështirë, futbollisti ka kërkuar nga klubi të largohet.

Nga ana tjetër, klubi e ka mirëkuptuar futbollistin dhe e ka lejuar që të largohet nga ekipi për të qenë pranë familjes. Futboll Klub Kukësi i uron nënës së tij shërim sa më të shpejtë dhe futbollistit i uron suksese në karrierë! Faleminderit Leiria”, shkruhej në njoftimin e Kukësit. /vipsport: