Pas humbjes me Luftëtarin, “shigjetat” e teknikut Artan Bushati kanë shkuar në drejtim të lojtarëve titullarë të ekipit. Ai natyrisht që ka pritur më shumë prej tyre, çka e ka theksuar edhe në analizën që zhvilloi dje me skuadrën gjatë seancës së parë stërvitore. Por edhe senatorët e skuadrës duket se, pavarësisht pakënaqësive që kanë shprehur, nga ana e tyre marrin përsipër përgjegjësitë për sa i përket asaj humbjeje. “Natyrisht që kemi përgjegjësi në këtë humbje dhe nuk kemi pse justifikohemi”, – shprehen njëherësh dyshja Belisha-Smajli.
Belisha “Natyrisht që ishte një humbje e papritur për ekipin tonë. Nuk dua që të justifikohemi, por një pjesë në këtë humbje ka edhe terreni. Megjithatë, ne si titullarë natyrisht që mbajmë pjesën tonë të përgjegjësisë për këtë rezultat. Nuk zhvilluam një takim të mirë si dy sfidat e para, çka ka qenë një nga shkaqet që sollën atë humbje. Megjithatë, unë do të thosha që kjo humbje me Luftëtarin do të harrohet shumë shpejt. Ne kemi aq forca që të arrijmë të marrim më të mirën në takimin e radhës me Apoloninë, pasi nuk i lehtë për ne. Por jam i mendimit që gabimet e shfaqura në përballjen me Luftëtarin të eliminohen për ndeshjen me Apoloninë. Do të jetë ky takim ku ne do të rikthehemi në lojë dhe në rezultat, si në dy takimet e para të këtij sezoni. Unë dhe ekipi besojmë se do të dimë ta kalojmë këtë humbje dhe të fitojmë në takimin me Apoloninë dhe natyrisht të fitojmë tifozërinë tonë të zjarrtë pas dy javësh”, – shprehet kapiteni Amarildo Belisha.
Smajli Për mbrojtësin e djathtë, Dritan Smajli, një nga pikat më të forta të Vllaznisë, takimi me Luftëtarin, duhet harruar sa më shpejt. “Ne natyrisht që mbajmë pjesën më të madhe të përgjegjësisë në humbjen e këtij takimi. Nuk kemi zhvilluar një nga lojërat tona më të mira që kemi bërë gjatë këtij viti. Kjo e ndikuar prej disa komponentëve, megjithatë përgjegjësia natyrisht që bie mbi ne. Nuk dua që të kthehem dhe të them se ku gabuam në atë përballje, por dua të them se ky takim duhet harruar sa më shpejt nga ana jonë. Ndaj Apolonisë të bëjmë autokritikën e duhur me arritjen e një fitoreje. Unë jam i bindur se nëse arrijmë që të fitojmë me një lojë bindëse në këtë takim, edhe tifozët tanë do të dinë ta lënë pas humbjen e kaluar”, – përfundon mbrojtësi Smajli.
Admir URUÇI