Trajneri i mirënjohur, Bylbyl Sokoli, ka reaguar ashpër ndaj menaxherit të Amir Rrahmanit, Ardian Aliaj, se vendimi për mosardhjen e futbollistit në grumbullimin e fundit të Kombëtares së Kosovës ka qenë i përbashkët.
Sokoli ka thënë në emisionin ‘Dueli Sportiv’ në RTV Dukagjini se kjo deklaratë e Aliajt nuk është korrekte. Ai ka hamendësuar se edhe nëse ka pasur marrëveshje mes menaxherit, futbollistit dhe përzgjedhësit të ‘Dardanëve’, Primozh Gliha, nuk është e drejtë të ndodh një gjë e tillë.
”Nuk mundet të thotë se Kosova nuk ka objektiv, në çdo ndeshje është objektivi. Edhe pozita e Kosovës në ranglistë me një fitore ndryshon objektivat. Por, varet objektivi nëse është kualifikimi apo jo. Amir Rrahmani ka dhënë gjithmonë maksimumin për ekipin.
Prandaj, është lojtar kyç dhe kapiten i ekipit. Unë mendoj që Ardiani nuk është korrekt në këtë deklaratë. Nëse janë marrë vesh me trajnerin dhe Amirin se nuk na qenka i rëndësishëm në këtë takim, mendoj që nuk është e drejtë kjo. Por, sidoqoftë fundi është i mirë se Kosova ka fituar,” tha Sokoli.