Pasditën e sotme, Abissnet Superiore do të zhvillojë dy ndeshje të tjera të javës së dytë të edicionit të ri futbollistik 2022-2023. Në orën 17:00, në stadiumin “Arena Egnatia” do të luhet sfida Egnatia-Tirana.

Rrogozhinasit vijnë pas humbjes ndaj Partizanit dhe do të tentojnë tre pikët e para në këtë kampionat. E njëjta gjë vlen edhe për kampionët në fuqi të Shqipërisë, të cilët duan fitoren e parë pas barazimit ndaj Kukësit javën e kaluar.

Për sa i përket formacioneve, te Egnatia pritet të jenë në fushën e lojës dy shkodranët, Alen Sherri dhe Abdurraman Fangaj. Pjesa tjetër e formacionit do jetë me Kacbufin, Atandën, Mustën, Mihanën, Medeiros, Ojediran, Jackson, Delarge dhe Camaj.

Ndërkohë nga ana tjetër, për sa i përket formacionit të Tiranës, trajneri Orges Shehi ka disa ditë që provon në qendër të mbrojtjes Realf Zhivanin. Me shumë mundësi, ai do të jetë titullar në sfidën me Egnatian, në krah të Filip Najdovskit. Zhivani ka edhe një mundësi për të qenë një nga titullarët e këtij sezoni, duke lënë në stol Behiratchen.

Poashtu, Toshevski mund të kthehet titullar në vend të Olayemi. Përgjoni kthehet në mbrojtje, ndërsa Ismailgeci do të luajë si sulmues në krahun e majtë. Me një llogaritje të thjeshtë, Bekaj është në portë. Më pas, Toshevski, Najdovski, Zhivani dhe Përgjoni, në mesfushë Qefalia dhe Aleksi. Ndërkohë, në mbështetje të Xhixhës që do të jetë në krye të repartit, do të pozicionohen Hasani, Kallaku dhe Ismailgeci.

Ndeshja Egnatia-Tirana do të luhet pasditën e sotme në stadiumin “Arena Egnatia” të Rrogozhinës, duke nisur nga ora 17:00 dhe do të transmetohet në kanalet e platformës “OverSport”.

Egnatia-Tirana, formacionet e mundshme

Egnatia (4-4-2): Sherri, Fangaj, Kacbufi, Atanda, Musta, Mihana, Medeiros, Ojediran, Jackson, Delarge, Camaj Tr: Edlir Tetova

Tirana (4-2-3-1): Bekaj, Toshevski, Najdovski, Zhivani, Përgjoni, Qefalia, Aleksi, Hasani, Kallaku, Ismailgeci, Xhixha Tr: Orges Shehi

Arbitër: Laver Alla