E premtja ka qenë një ditë jo e zakontë për skuadrën e Pogradecit, pasi në orarin e stërvitjes (12:00), është shfaqur në ambientet e stadiumit “Gjorgji Kyçyku”, kryebashkiaku Ilir Xhakolli, i cili është njëkohësisht presidenti i klubit liqenor.

I shoqëruar nga drejtuesit e klubit dhe anëtarë të bordit, Xhakolli ka zbritur në fushë për të takuar stafin teknik dhe futbollistët në prag të ndeshjes në Elbasan, që do të luhet të dielën në orën 13:00.

Kryebashkiaku mbajti një fjalim motivues para skuadrës, ndërsa premtoi edhe një premio në rast fitoreje ose barazimi ndaj rivalëve të Elbasanit. “Panorama Sport” ka arritur të zbardhë fjalimin e numrit një të bashkisë.

“Çuna, dua që këtë ndeshje ta merrni shumë seriozisht dhe e di që do ta bëni, pasi ju jeni skuadër më cilësore se Elbasani. Kam dëgjuar që është krijuar një lloj paniku se nuk do të mirëpriteni në Elbasan, por të gjithë duhet të jenë të qetë. Unë kam kontaktuar me strukturat e policisë dhe gjithçka do të shkojë më së miri. Ju vetëm bëni më të mirën në fushë”, ka thënë Xhakolli, ndërsa lajmin për shpërblimin ua komunikoi lojtarëve administratori i klubit, Nesti Binishi.

“Presidenca ka vendosur se në rast fitoreje do të akordohen 5 milionë lekë të vjetra premio. Ndërsa në rast barazimi do të ketë një shpërblim prej 3 milionë lekësh të vjetër”, tha Binishi para lojtarëve.

Pas bisedës me ekipin, më pas kryebashkiaku Xhakolli qëndroi edhe rreth 20 minuta në stadium, duke ndjekur stërvitur dhe diskutuar me disa tifozë që ishin të pranishëm në këtë seancë të radhës.

Gazeta mëson nga burime pranë klubit se do të ketë autobusë pa limit në dispozicion të tifozëve pogradecarë, për të mbështetur të dielën skuadrën në “Elbasan Arena”.