Vllaznia luan sot testin e parë gjatë përgatitjeve që po kryhen në Austri për duelin e Ligës së Konferencës me Universitatea të Krajovës.

Përballë do të kenë SV Traiskirshen dhe miqësorja do të zhvillohet në qendrën stërvitore të kombëtares austriake, në Lindabrun.

Para nisjes së fazës, klubi ka ndërhyrje në merkato, ku të gjitha repartet janë forcuar ndjeshëm.

Kërkesat e trajnerit janë plotësuar nga klubi, pas largimit të Adilit, Krymit dhe Da Silvas. 4 nga 6 përforcimet e deritanishme pritet të përfshihen direkt në formacion.

Për momentin, Josa ka provuar dy skema loje, 4-3-3 dhe 4-2-3-1. Rivaliteti për një vend është shtuar, ndërsa “xholi” në pjesën ofensive pritet të jetë Vulaj.

Shehi si qendërmbrojtës, Boshnjaku në rolin e shkatërruesit, Marku në mes fushë dhe Vulaj si sulmues i dytë ose nga krahët, pritet të jenë lëvizjet e formacionit kuqeblu në Europë ndaj rumunëve, teksa ndeshja e parë luhet në Shkodër më 21 korrik.

Vllaznia ndaj Univerisitateas pritet të prezantohet me Zogoviç në portë, kapitenin Gurishta në krahun e djathtë dhe Hakaj në të majtë.

Në qendër janë tre lojtarë të afirmuar për dy vende, bulatoviç dhe dy afrimet e merkatos, Shehi dhe Juriç.

Me skemën 4-3-3, Josa duket se është më i prirur për t’i besuar në mesfushë Boshnjakut, Jonuzit dhe Markut. Megjithatë, një kandidat potencial për formacionin është edhe boshnjaku Heriç, i cili u preferua nga Josa në fundin e sezonit të shkuar.

Me këtë skemë pritet që Latifi e Vulaj të jenë në ndihmë të sulmit që do të diskutohet mes dyshes Aralica-Kaina. Por në miqësoren e sotme pritet që të jetë Ardit Hoxhaj titullar, pasi Latifi sapo ka lënë pas problemet shëndetësore.