Edicioni i tretë i “Titans Fight” në boks është gati për mbrëmjen e sotme. Aktiviteti në fjalë do të zhvillohet në pallatin e sportit “Ramazan Njala”, duke filluar nga ora 18:00 dhe në kalendar janë gjashtë ndeshje për t’u luajtur.

Vëmendjen më të madhe të këtij turneu pritet ta marrë ndeshja e boksierit shkodran, Nelson Hysa, i cili do të ketë përballë anglezin Danny Williams. Për 18-herë kampionin e Shqipërisë, shkodranin Nelson Hysa, kjo është ndeshja më e fortë që ai ka zhvilluar në karrierën e tij sportive, pasi përballë do të ketë nënkampionin e botës, Danny Williams.

Anglezi ka provuar të dalë për pesë herë me rradhë si nënkampion bote, ndërsa numëron edhe tre tituj kampion në Angli në boksin profesionist, duke u konsideruar si një ndër boksierët më të mirë në Britaninë e Madhe. Në arenën ndërkombëtare, Danny Williams nijhet edhe si boksieri që ka mundur të famshmin Majk Tajson, teksa me humbjen që i pat shkaktuar atij, Tyson i dha fund karrierës sportive.

Edhe pse CV-ja e anglezit është shumë e pasur, shkodrani Nelson Hysa është mjaft optimist për ta kaluar me sukses këtë ndeshje. Boksieri shkodran i ka dhënë edhe dorën e fundit përgatitjeve për ndeshjen më të rëndësishme të karrierës së tij të deritanishme. Kjo ndeshje pritet me shumë interes nga opinioni sportiv shqiptar dhe në veçanti ai i boksit, ngaqë përballë Nelson Hysës, do të jetë një emër i madh i boksit botëror.

Ndërkohë, për boksierin shkodran kjo do të jetë ndeshja e pestë në boksin profesionist dhe padyshim që do të tentojë fitoren, për t’u ngjitur edhe më shumë në renditjen botërore, ku ai konkurron.

Poashtu, përveç ndeshjes së Nelson Hysës, në ring do të ngjiten edhe boksierët e njohur shqiptarë, kampionët Alban Beqiri dhe Ardit Murrja, prej të cilëve pritet dhe synohet vetëm fitorja.

Interesimi për këto përballje duket shumë i madh dhe nga sa mësohet nga “Shkodra Sport”, të gjitha biletat e mbrëmjes së sotme në pallatin e sportit “Ramazan Njala” të Durrësit janë shitur.
Maringlen ZHIVANI