Akademia e Vllaznisë, me dy grupmoshat e saj, do të kërkojë sot në ndeshjet e tyre të marrë dy fitore. Ekipet kuqeblu të U-17 dhe U-19 do të luajnë ditën e sotme ndaj ekipeve respektive të Laçit në transfertë.

Kështu, fillimisht në fushë do të zbresë ekipi U-17, që drejtohet nga trajneri Gilman Lika. Kjo ndeshje do të luhet në Laç, duke filluar nga ora 10:00. Momentalisht, shkodranët renditen në vendin e pestë në tabelën e klasifikimit, në kuotën e tetë pikëve në pesë ndeshje të luajtura deri më tani.

Padyshim që, Vllaznia U-17 do të synojë fitoren ndaj Laçit ditën e sotme, por ndeshja mbetet e vështirë, teksa gjithçka mbetet për t’u parë në fushën e lojës, duke filluar nga ora 10:00.

B Ndërkohë, menjëherë pas ekipit U-17, në orën 12:00, në fushë do të zbresë edhe ekipi i Vllaznia U-19. Sa i takon këtyre të fundit, ata renditen në vendin e katërt në tabelën e klasifikimit, në kuotën e shtatë pikëve në pesë ndeshje të luajtura deri më tani.

Padyshim që, edhe Vllaznia U-19, që drejtohet nga trajneri Edmond Doçi, do të synojë fitoren ndaj Laçit ditën e sotme në transfertë, por ndeshja mbetet e vështirë në letër, teksa gjithçka mbetet për t’u parë në fushën e lojës, duke filluar nga ora 12:00.

Në fakt, me interes pritet ecuria e këtyre ekipeve të Akademisë së Vllaznisë, ku dihet që edhe në këtë sezon do të synohet fitimi i të gjitha kupave, por nga ana tjetër edhe nxjerrja e elementit cilësor.
Maringlen ZHIVANI