Pavarësisht se ka për të luajtur edhe një ndeshje të fundit, Vllaznia “B” është zyrtarisht në kategorinë e dytë të futbollit shqiptar për sezonin e ardhshëm. Ajo e ka siguruar përfundimisht vendin e parë në grupin A të kategorisë së tretë, duke e bërë të pavlefshëm rezultatin e ndeshjes të së dielës në transfertë ndaj Bulqizës.
Për ta arritur këtë objektiv “një dorë” ia dha sot ekipi tjetër shkodran, pikërisht ai i KF Shkodra i cili ka mundur rivalen e kuqebluve- Dinamo “B”, në ndeshjen e luajtur në fushën sportive të Shtojit. Në fund të 90 minutave të kësaj përballje, djemtë e drejtuar nga trajneri Denis Zmijani kanë triumfuar me rezultatin 1-0, ku golin e vetëm të saj e shënoi futbollisti Sajmon Hoxha.
Në këtë mënyrë Dinamo “B” e mbyll kampionatin në vendin e dytë me 38 pikër, ndërsa Vllaznia “B” ka aktualisht 41 pikë para sfidës së të dielës ndaj Bulqizës, rezultati i së cilës nuk do të ketë asnjë efekt.
Kësisoj skuadra e drejtuar nga trajneri Brikeno Bizi e arrin objektivin e saj kryesor, ngjitjen në kategorinë e dytë të futbollit shqiptar, por ndërkohë tashmë do të luftojë për fitimin e titullit kampion të kategorisë së tretë kur do të ndeshet në finale me fituesin e grupit B, Albpetrolin.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


