Shkruar nga Gjergj KOLA
Tjetër gol për sulmuesin shkodran Gabriel Kulla në kampionatin e të rinjve (U20) në Itali. 18 vjeçari i talentuar i ka shënuar ditën e djeshme edhe Genoa-s dhe ky ishte goli i tij i pestë në këtë kampionat, çka bën që ai të renditet në mes golashënuesve më të mirë të kampionatit.
Kulla ka arritur të shënojë në minutën e 15-të të ndeshjes që Sassuolo U20 ka luajtur në transfertë, por goli i tij nuk ka mjaftuar sepse vendasit e Genoa kanë arritur të barazojnë në fundin e pjesës së parë dhe kështu i gjithë takimi është mbyllur në barazim 1-1.
Megjithatë Kulla e bëri detyrën e tij, të dërgojë topin në rrjetë sepse këtë gjë di të bëjë më mirë se çdo gjë tjetër. Me 5 gola deri më tani, ndonëse nuk i ka luajtur të gjitha ndeshjet në kampionatin U20 ngaqë ka qenë i angazhuar me ekipin e parë të Sassuolo-s, Gabriel Kulla duket se ka hedhur që tani kandidaturën për titullin e golashënuesit më të mirë të kampioatit.
Renditja aktualisht kryesohet nga sulmuesi i Interit Carrara me 7 gola, por me këtë ecuri sulmuesi i kombëtares U21 të Shqipërisë do ta mbërrijë shumë shpejt.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


