Përfundon Botërori për Spanjën, që nuk shkon dot përtej fazës së 1/8-ave, pasi u eliminua nga Maroku. Pas 120 minutave pa gol, sfida u vendos nga penalltitë, aty ku spanjollët goditën tre dhe nuk shënuan asnjë, ndërsa marokenët shënuan 3 nga 4 dhe fituan 3-0.

Padyshim protagonist portieri Bono, që përveç pritjeve gjatë lojës, ndali edhe dy penallti, ndërsa në të parën pati edhe ndihmën e shtyllës, ndërsa Spanja kthehet në shtëpi kokulur, me një rrugëtim që u mbyll shumë më shpejt sesa mund të imagjinohej.

Prishen kështu llogaritë e Luis Enriques, që preferoi humbjen ndaj Japonisë për të shmangur Kroacinë në fazën e 1/8-ave, por edhe me Marokun nuk ia doli të shkojë në çerekfinale, ndërsa suksesi i afrikanëve do të festohet gjatë edhe në Gjermani.

Sa i takon kronikës së pjesës së parë, shkëndija e parë erdhi nga Maroku. Ishte Achraf Hakimi që tentoi të surprizonte portierin Unai Simon me anë të një goditje dënimi, megjithatë topi nuk iu bind mbrojtësit dhe përfundoi larg kuadratit. Më pas ishte Spanja ajo që u kundërpërgjigj me anë të Asensios, por goditja e futbollistit të Real Madrid gjeti vetëm rrjetën e jashtme të portës së mbrojtur nga portieri Bono.

Në fundin e pjesës së parë, kombëtare afrikane u bë sërish “kërcënuese” dhe Mazraoui provoi nga distanca me Simon që reagoi mirë ndërsa në të 42-tën, Aguerd me kokë nuk gjeti kuadratin e spanjollëve nga fare pranë. Kështu, 45-minutat e para u mbyllën në barazim 0-0, ndërsa në fraksionin e dytë, loja ishte tepër e kujdesshme nga të dyja skuadrat që kërkonin të mos gabonin.

Spanja ishte ajo që kishte më tepër iniciativën, por me gjithë qarkullimin e dendur të topit nuk ia doli të krijonte asnjë rast të rrezikshëm. Ishte Morata në një rast që provoi në zonë, por topi i goditur me kokë nga sulmuesi nuk kishte saktësi dhe në këtë formë 90-minutat u mbyllën në barazim me sfidën që iu drejtua kohës shtesë, e më pas penalltive, që nxorën fitues Marokun.

Marok-Spanjë 0-0 (3-0 me penallti)