Eintrachti i Frankfurtit ia doli të triumfojë në të dy ndeshjen ndaj West Hamit dhe të sigurojë kalimin në finalen e Europa League, diçka që e bën për herë të parë pas plot 42 vitesh, pasi pikërisht në 1980-ën ka luajtur finalen e fundit europiane.

Skuadra gjermane ka bërë një rrugëtim të jashtëzakonshëm, duke eliminuar ekipe si Betis, Barcelona e së fundi West Ham, teksa vlen të theksohet se në të gjithë këto hapa, ka pasur mbështetjen e jashtëzakonshme të tifozërisë.

Pasi “pushtuan” stadiumin “Camp Nou” në ndeshjen e kthimit ndaj Barcelonës dhe dhuruan spektakël në rrugët e Londrës të enjten e kaluar, mbrëmjen e djeshme fansat e klubit gjerman festuan në mënyrë të jashtëzakonshme edhe në shtëpinë e tyre.

Që para ndeshjes, ultrasët kishin përgatitur një koreografi spektakolare me fishek-zjarre, duke ndezur tribunën pas porte, ndërsa në sekondat e fundit të ndeshjes u afruan të gjithë pranë tabelave të reklamave dhe “pushtuan” fushën menjëherë pas vërshëllimës finale.

Një festë legjitime e tifozëve të Eintracht Frankfurt, që shohin skuadrën e tyre të rikthehet në një finale europiane pas plot 42 vitesh dhe ku natyrisht faktor kryesor kanë qenë pikërisht ata vetë, fansat e jashtëzakonshëm.