Vllaznia do të luajë të hënën kundër Kukësit, ndeshje e vlefshme për javën e 33-të të Superiores. Kjo sfidë do të zhvillohet në stadiumin “Loro Boriçi” dhe tashmë klubi shkodran ka nxjerrë njoftim në lidhje me biletat.

Përmes një lajmërimi në kanalin zyrtar, shkodranët bëjnë me dije se çmimet e tyre do të variojnë nga 100 lekë deri në 1500 lekë.

Përballja e shkodranëve kundër verilindorëve është caktuar të luhet të hënën në orën 19:45. Në njoftimin e bërë në faqen zyrtare të Vllaznisë shkruhej:

“NJOFTIM! Duke filluar nga e diela, nis shitja e biletave të ndeshjes së javës të 33-të të “Abissnet Superiore”, Vllaznia- Kukësi që do të luhet të hënën në ora 19.45 në stadiumin “Loro Boriçi”.

Biletat mund t’i blini në sportelet pranë stadiumit. Eja edhe Ti! Forca Vllaznia”.