25 vite kontribut si trajner moshas pranë klubit Vllaznia e bëjnë Roland Kokën mjaft të veçantë sepse nga duart e tij kanë dalë shumë lojtarë cilësorë të cilët kanë bërë emër në basketbollin shkodran dhe atë shqiptar.

Pikërisht, për ta falenderuar për gjithë kontribut në vite, drejtuesit e Sportklub Vllaznia dhe stafi i trajnerëve të tij, kanë zhvilluar paraditen e së martës një ceremoni shumë të thjeshtë por mjaft kuptimplote për ta nderuar me një mirënjohje profesor Kokën. Në emër të tyre ka qenë trajneri i njohur i basketbollit Bledar Gjeçaj që ka vlerësuar figurën e tij.

“Jemi mbledhë sot për t’i shprehë mirënjohjen më të madhe një ndër aktivistëve më të mirë të Klubit Vllaznia, professor Roland Kokës, i cili me përkushtimin dhe pasionin e tij ka pasë shumë suksese, të cilat janë pasqyruar edhe në ekipin e parë të basketbollit, i cili ka qënë i furnizuar nga mjaft element të rinjë.

Profesor Koka ka qënë një ndër bashkëpunëtorët kryesorë  të mi në vite. Për këtë, edhe unë në veçanti i shprehë mirënjohjen time më të madhe, jo vetem të klubit por edhe unë, sepse me punëtorë të tillë, basketbolli, por dhe sportet e tjera, kanë për të pasë një ecuri shumë shumë të mirë.

Edhe një herë i uroj suksese profesorit, ta vazhdojnë punën  edhe pse ka dalë në pension, mundet të vijojë në punën e tij për të ndihmu brezat e ardhshëm, sepse është ndër punëtorët që duhet marrë shembull edhe nga brezi tjetër i trajnerëve”, tha Gjeçaj teksa i dorëzoi çertifikatën “Mirënjohje” nga ana e SK Vllaznia.

Ndërkohë vetë Koka është shprehur i lumtur për këtë vlerësim të marrë pas shumë e shumë vitesh kontribut për basketbollin.

“Falenderoj nga zemra për këtë evenimet të rëndësishëm të jetës sime. Pra të nderohem me çertifikatën “Mirënjohje” është një nder i madh që më bëhet. Ashtu siç tha edhe Bledari, kam vazhdu edhe kur jam larguar nga ekipi i të rinjëve me një ekip të vogël fëmijësh dhe të rinjë.

Por, elementët të cilët i duhen në vazhdimësi basketbollit shkodran, ajo që ka qënë gjithmonë premisë e punës sime ka qënë elementi i gjatë dhe deri përpara dy-tre muajve kam pasë tre lojtarë përmbi dy metra. Por kjo pandemia bëri që të largohen dy, ndërkohë njëri vazhdon përsëri duke u aktivizuar me ekipin e të rinjëve.”- ka thene Koka.

Emra të tillë si ai i Roland Kokës padyshim që i kanë bërë nder klubit Vllaznia dhe Shkodrës dhe janë shembuj për t’u ndjekur, por ajo çfarë është më e keqja, sot gjithnjë e më pak kemi të tillë trajnerë kaq pasionantë në qarkullim.

Referuar karrieres sportive të Roland Kokës duhet thënë se ai si basketbollist bën pjesë në formacionin e Vllaznisë kampione të sezonit 1966-1967 që ishte edhe titulli i parë kampion për ekipin e basketbollit meshkuj kuqeblu duke luajtur përkrah emrave të tillë si Luan Shatku,  Renato Radoja, Filip Guraziu, Petrit Osmani, Nikolin Pali, Agim Lahi, Asllan Gjyrezi, Zyhdi Çoba, Nikolin Kovaçi, Flamur Selmani, Vladimir Gjurba, etj me në krye trajnerin Esat Haxhi.

Ndërkohë, karriera e Roland Kokës me sportin e basketbollit do të vijonte të ishte po aq e suksesshme edhe në detyrën e trajnerit, kryesisht të moshave ku në 12 vite karrierë, është shpallur 6 herë kampion kombëtar dhe 2 herë nënkanpion, ndërkohë që ajo që është më kryesorja, nga puna e tij profesionale kanë dalë breza të tërë elementësh cilësorë, të cilët në vijim do të përfaqësonin ekipin e parë të Vllaznisë, por edhe në ekipe të tjera të kampionatit shqiptar, si dhe jashtë vendit, mes të cilëve spikasin edhe vëllezërit, Dod dhe Daniel Lekndreaj.