Çudirat me listat e Kombëtares nuk kanë fund, si në Kombëtaren A ashtu edhe te Shpresat ku shpesh herë mungojnë futbollistë që janë në momentin më të mirë të tyre.

Këtë radhë, nga Alban Bushi i Shqipërisë U21 ishte lënë jashtë mesfushori dhe njëkohësisht kapiteni i Fiorentinës U19, Shkodrani Erald Lakti i cili po kalon një moment fantastik në Itali dhe me skuadrën e tij fitoi edhe Kupën e Italisë për të rinj.

Mesfushori shkodran arriti që me paraqitjet e tij të bindte edhe Viçenzo Montelën që ta grumbullonte me skuadrën e parë të Fiorentinës në ndeshjen e fundit të sezonit ndaj Xhenoas.

Lakti ka mbajtur këtë sezon shiritin e kapitenit te Fiorentina dhe ka luajtur në të gjitha ndeshjet, përveç kohës kur iu desh t’i nënshtrohej një operacioni.

Sakaq, paraqitjet e tij me Fiorentina Primavera ka bërë që në Itali të marrë vlerësimet më të mëdha. Lakti është vlerësuar si futbollisti më i mirë i sezonit për këtë grupmoshë dhe çmimin e ka tërhequr në një transmetim direkt në një televizion italian.

Lakti shihet si një nga talentët më premtues të Fiorentinës dhe ka kontratë me ekipin e parë. Këto statistika dhe të dhëna, duket se nuk janë të mjaftueshme për Bushin që t’i dërgojë ftesën futbollistit më të mirë në Itali për grupmoshën e tij. /VipSport/