Sportklub Vllaznia ka shpallur paraditen e së enjtes 10 sportistët më të mirë të tij për vitin 2014 në një ceremoni shumë interesante. Më të mirët e këtij klubi janë shpallur pikërisht para këshilltarëve Bashkiak, përpara fillimit të mbledhjes së rradhës të këtij Këshilli. Një gjetje shumë interesante e drejtuesve të këtij klubi dhe veçanërisht e drejtorit Mark Kroqi, për ta bërë këtë ceremoni, pikërisht para njerëzve që votojnë për financat e këtij klubi dhe këtyre sportistëve.

Njëkohësisht, për t’I bërë të njohur para tyre, këta Kampionë e rekordmenë dhe sigurisht për të kërkuar më shumë mbështetje për të ardhmen. Në anketë, është vënë re një shpërndarje e fituesve, nga një për çdo sport dhe po ashtu është konstatuar mosha e re e fituesve. Në 10 sportistët më të mirë në krye padyshim që ishte kampioni I Europës në peshëngritje Erkand Qerimaj. Po ashtu edhe kampioni dhe rekordmeni I atletikës Izmir Smajlaj që ka munguar në këtë ceremoni sepse stërvitet në Kinë dhe diplomën e tij e ka tërhequr trajneri Vildan Tufi. Edhe sporti I basketbollit ka patur një fitues, pikërisht Gjon Ndojën. Po ashtu edhe sporti I volejbollit që ka patur fitues 17 vjeçarin e talentuar Anton Qafarena si dhe nga vajzat, Klavia Petëza. Gjimnastika ka patur një tjetër fitues, pikërisht kampionen Oneda Reçi ndërsa xhudoja ka patur si fituese në këtë anketë Aurora Shkozën, një kampione shumëvjeçare dhe fituese medaljesh në arenën ndërkombëtare. Nuk mund të mungonte në anketë si fitues boksieri Kristian Demaj, më I miri I Shqipërisë për vitin 2014. Po ashtu në ceremoninë e 10 sportistëve më të mirë të vitit ka patur vend edhe për çiklistin e talentuar 14 vjeçar Bruno Kola që shihet si perspektiva e këtij sporti. I fundit I dhjetëshes fituese ka qenë mundësi kampion Qamil Bajrami. Sportklub Vllaznia ka vlerësuar edhe sportistin e ri të perspektivës atletin Gledis Halluni ndërsa trajneri më I mirë I vitit është vlerësuar Vildan Tufi. Të gjithë këshilltarët kanë vlerësuar kontributin e dhënë nga secili prej tyre dhe kanë premtuar mbështetje më të madhe për të ardhmen. Madje, ata mbështetjen e parë e dhanë që dje kur menjëherë miratuan dhënien e një shpërblimi prej 100 mijë lekësh të vjetra për secilin prej fituesve të kësaj ankete.
Gjergj KOLA