Ecuria e punimeve në stadiumin “Loro Boriçi” duket se po vazhdon me ritme të kënaqshme dhe shumë shpejt pritet që të bëhet hedhja e betonit për ndërtimin e tribunës së re. Gropa e saj tashmë është hapur përfundimisht dhe po ashtu janë drejt përfundimit edhe pesë gropat e pjesëve të tribunës anësore. Përveç tyre, po punohet ende për heqjen e projektorëve dhe dërgimin e tyre në stadiumin “Selman Stërmasi” në Tiranë. Numri i makinerive dhe i punonjësve të pranishëm në ambjentet e stadiumit po rritet nga dita në ditë madje, nga e hëna e ardhshme numri i punëtorëve pritet të jetë mbi 100 vetë në këtë kantier ndërtimi.

Kjo tregon se tashmë rikonstruksioni i stadiumit ka hyrë në rrugën e duhur dhe firma që po merret me ndërtimin e tij ka premtuar se do bëhet çmos që të mbarojë deri në fillimin e muajit tetor në mënyrë që ndeshja me Serbinë të luhet në Shkodër. Ecuria e punimeve ka qenë e mirë ditët e fundit, nuk ka patur asnjë pengesë, madje edhe ajo për të rregulluar qarkullimin rreth e qark stadiumit në mënyrë që të mos ketë probleme për mjetet e firmës që po lëvizin aty, është zgjidhur me rrethimin e vendit dhe mbërritjen e policisë së qarkullimit rrugor për të sistemuar trafikun. Qeveria shqiptare ka urdhëruar firmën që po merret me ndërtimin e këtij objekti sportiv që të punojë me tre turne për të kapur kohën e humbur megjithatë duhet parë ecuria në vazhdim, për të parë nëse do arrihet ndërtimi në kohë apo jo.

© shkodrasport.com