Pushimi njëjavor për shkak të ndërprerjes së kampionatit për ndeshjen e kombëtares tonë me atë turke, po shfrytëzohet në maksimum tek Vllaznia. Stafi i saj edhe ditën e sotme ka vijuar procesin stërvitor dhe objektivi është i qartë: rritja e parametrave fizikë të futbollistëve.

Gjithçka sa i takon përgatitjeve të këtyre ditëve tek ekipi shkodran, është bërë e ditur përmes një komunikimi të vetë klubit në faqen e tij zyrtare ku shkruhet:
“Ekipi i Vllaznisë ka vijuar me përgatitjet e tij për ndeshjen e rradhës ndaj Lushnjës. Edhe ditën e sotme, programi stërvitor ka vijuar me dy seanca. Një gjë e tillë po bëhet me qëllim rritjen e parametrave fizike të futbollistëve dhe për të korigjuar problemet që kanë patur në këtë drejtim. Paradreke, lojtarët janë vënë në dispozicion të trajnerit të përgatitjes fizike Gjergji Poloska në palestër. Bashkë me grupin është bashkuar në këtë seancë edhe mesfushori Bardulla. Ky i fundit siç dihet mungoi në ndeshjen e kaluar ndaj Skënderbeut për shkak të një dëmtimi megjjithatë tashmë pothuajse e ka kaluar atë dhe gradualisht po kap ritmin e skuadrës.

Po ashtu, pas një pushimi dyditor me ekipin është bashkuar edhe mbrojtësi Gocaj i cili ka patur një kontraktim muskulor dhe për këtë arsye është lënë pushim nga stafi. Megjithatë ai sot ka zhvilluar një stërvitje normale me grupin tjetër të futbollistëve dhe duket i gatshëm për vijimin e procesit stërvitor me ritme të plota. Pasdite ndërkohë, Vllaznia ka kaluar në fushën stërvitore të Golemit dhe trajnerët Gjoka e Tafaj kanë punuar me lojtarët në aspektin teknik dhe taktik. Për të ndjekur këtë seancë kanë qenë të pranishëm edhe administratori i klubit Gjyrezi dhe drejtori sportiv Zeka. Ditën e nesërme, ekipi do të ketë vetëm një seancë stërvitore ndërkohë që të shtunën në orën 14.00 do të luhet miqësorja ndaj ekipit “B”. Ky do të jetë programi i këtyre ditëve të kësaj fundjave. Trajneri Gjoka duket mëse i kënaqur me mënyrën si po ecën procesi stërvitor dhe është i bindur se me këtë ecuri, edhe rezultatet pozitive të Vllaznisë do të vijnë shumë shpejt”.