Erkandi, ky sportist që ka rrokur zemrat e cdo shqiptari me emocione dhe me krenari rrëfehet për familjen e tij të re dhe për sportin e peshëngritjes. Me dhjetëra medalje dhe fitore të numëruara, Qerimaj ka pranuar të rrëfehet për gazetën “Shkodra Sport”.

Ka pranuar të flasë për sfidat dhe rrugën e vështirë të sportit dhe për forcën e tij të re që po rritet, djali i vogel, Dijar!
-Përshëndetje Erkand! Faleminderit që pranove të jesh pjesë e kësaj interviste të shkurtër por e ngrohtë.Sa e lehtë është për ty që të jesh në një sport të tillë si peshëngritja, si i ke përjetuar lëvizjet, uljet, ngritjet në këtë sport për të cilin flitet kaq shpesh?
Sporti i peshëngritjes është realisht sport që do shumë forcë, durim por mbi të gjitha dëshirë, sepse nuk ka shumë argëtim ,ka më shumë rëndesë fizike e psikologjike, e unë me të gjitha uljet e ngritjet që ka po e perballoj më së miri!


2.Përveç triumfit tënd për të cilin ke bërë krenarë të gjithë shqiptarët anë e mbanë botës, si i ke përjetuar akuzat edhe sa e vështirë ishte përtëritja e një faze gri në karrierën tënde?
Fazën gri të jetës time, akuzat dhe çdo padrejtësi e kam kaluar me shumë punë, sportivitet dhe fakte tregimtare se unë nuk jam sportist fallso ,por nga ato të vertetë e këtë e tregon dhe rezultati im pas denimit edhe një herë Kampion Europe në vitin 2014 dhe rezultatet e mia në vijim deri më sot.

Familja duket që është burimi më i madh i frymëzimit tënd.Sa e rëndë qe largimi nga jeta i babait tënd? Sa e vështirë ishte të rifilloje edhe një herë me po të njëjtën forcë?
Ndarjen nga jeta të babait e kam kaluar trishtueshëm sepse me të kam patur një marrëdhënie si dy shokë të mirë. Për mua ishte busulla kur humbisja në rrugëtimet e jetës ! Ishte cdo ditë me mua i pranishëm në karrierën time sportive , babi ka një meritë të madhe për çdo fitore timen dhe realisht më mungon shumë por unë gjej force tek krenaria që kishte për mua për të vazhduar përpara me praninë e tij të gjithmonshme në zemrën time!

Lumturia jote tani mban një emër të ri- DIJAR! Djali  i vogël padyshim është frymëzim.Si u ndjeve kur ai erdhi ne jetë apo kur e mban në krahë atë peshë të vogël fizikisht,por besoj për ty është një nga peshat më të rënda e më të bukurat në krahët tuaj. Na trego pak për këtë lumturi kaq të madhe…

Faleminderit ! Dijar është gezimi e motivi i jetes time, tani që jam bërë prind e kuptoj edhe më mirë rolin e përgjegjshëm prindëror! Dashuria më reale dhe e pashkëpuetshme asnjëhërë është ajo prind fëmi dhe unë tashmë po e shijoj shumë këtë dhuratë që na e solli Zoti ! Peshë e rëndë në zemër!


Në sportin e peshëngritjes emri yt është një ndër të parët që përmendet. Përveç kënaqësisë a ke ndjerë ndonjëherë mërzitje apo dorëzim  të këtij sporti?
Në vendin që jetojmë ne është e pamundur të mos mërzitesh aq më tepër kur shumë herë nuk merr atë çfarë meriton, por unë mundohem çdo herë të gjej motivin e punës edhe në detajet më të vogla, gjej pozitivitetin edhe pse ujëvarat e negativitetit nganjëherë kërkojnë tërheqjen unë nuk dorëzohem dhe nuk besoj se do të dorëzohem ndonjëherë.

Tani të kalojmë në një anë tjetër të medaljes.Erkandi jo peshëngritës .Po të mos ishe në këtë fushë ku do ta shihje veten sot?
Bota e Sportit dhe televizionit gjithmonë më ka tërhequr në një mënyrë apo një tjetër e gjej veten aty.

Çfarë vlerësoni më shumë tek vetja dhe për çfarë thoni ndonjëherë, “më mirë mos ta kisha bërë këtë”?
Vlerësoj më shumë sinqeritetin , gjithashtu vullnetin për të arritur objektivat që vendos. Nuk duroj  kur i dëgjoj njerëzit që gënjejnë.Mbase këtë nervozizmin më mirë mos ta kisha.


Si ju pëlqen ta kaloni kohën e lirë? Po ushqimi yt i preferuar?
Me familjen  kaloj kohën e lirë gjithashtu me shoqërinë si të gjithë jo ndonjë gjë e veçantë. Si psh, sallata, brokolit, lakrat e ziera, picat dhe makaronat me karkaleca.

Deri tani, cila është “çmenduria” më e madhe që keni bërë?
Kur U shpalla Kampion europe për herë të parë në vitin 2002 , në Nice të Francës , pas garës kisha dëshirë të hyja në pishinë. Po ishte mbyllur sepse ishte vranësirë e nuk lejohej dhe pse ishte gusht. I them profesorit që t’i kapërceja  hekurat ndarës të pishinës (mendoj ishin te larta 2 metra) dhe të hidhesha. Profesor Gudari tha: Kapërceji! (madje e ka treguar edhe ne tv )gjoja duke luajtur, por unë hipa sipër me kërcim e u hodha në pishinë direkt. Profesor Gudari ngeli në vend dhe më shihte i habitur. Ishte një çmenduri ta mendosh se sa me rrezik ishte.

Çfarë ndjenje përjeton kur shkon në një kampionat evropian ose botëror dhe e di se po përfaqëson një vend të vogël por me gjithë sytë dhe shpresat nga ti?!
Emocionet janë të mëdha pasi punon gjithë vitin për atë garë, gjithashtu mua po më bëhen 20 vite sport eksperincë dhe për cdo garë ka emocionet e veta, por unë i kam pozitive dhe mundohem të jap maksimumin në garë nga ky lloj frymëzimi , se  ka shumë njerëz që presin të ngrihet Flamuri Kombëtar. Psh kur u shpalla kampion  i Europës në Izrael të paktën për atë ditë  shumë shqiptarë në Shqipëri e mbarë botën janë gëzuar kur  u ngrit flamuri kombëtar.

Të falenderoj nga zemra per çdo përgjigje edhe kohë të kushtuar.Duke të të uruar sa më shumë medalje e triumfe e sa më shpejt lajme të bukura nga kampionatet.
Ju falenderoj juve dhe ju uroj punë te mbarë.

Intervistoi: Pamela RROKU