Në fazën gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, Teuta do të përballet ndaj Laçit, më 30 mars. Për shortin e hedhur ditën e sotme, ka folur drejtori i klubit durrsak, Sulejman Starova, i cili ka analizuar këtë përballje ndaj kurbinasve:

“Skuadra është në rritje, nuk kishim preferenca sepse të treja skuadrat janë me lojtarë të fortë, me karakteristika të ndryshme. Rezultati final, kualifikimi është vështirë të përcaktohet nga kushdo.

Skuadra ka rregulluar ndjeshëm, pësimin e golave që kishim pasur problem dhe them që ekipi është në ekuilibër dhe këtu bazohemi te mundësia për ta fituar Kupën, duke filluar nga kundërshtari ynë i parë Laçi, sepse tani nuk mendohet për finalen. Këtu ku kemi arritur, kemi vetëm një objektiv, për të fituar Kupën e Shqipërisë.

Formacioni nuk ka pasur ndryshime të mëdha, dy-tre lojtarë të ri kanë siguruar formacionin, nëse i referoheni në ndeshjen e fundit të kampionatit, ato kanë qenë për arsye se Hebaj ka qenë i skualifikuar për plotësimin e numrit të kartonëve dhe kemi pasur dhe dëmtime, si Lorenco Vila.

Ndaj Laçit në Kupë do të përballemi me formacionin tonë më të mirë të mundshëm. Laçi vazhdon të jetë forcë e dytë në kampionat, me mundësi më të mëdha për të konkurruar Tiranën në garën për titullin kampion.

Luhatje të vogla ka pasur në kampionat, por ndeshja nuk është nesër. Edhe kur kam qenë lojtar dhe trajner, kur vjen në gjysmëfinale është një kënaqësi dhe një krenari për lojtarët dhe trajnerët, që të gjithë skuadrat e tjera të shohin dy ndeshjet e para. Ka një eufori, sigurisht që rezultati nuk parashikohet.

Stadiumi? Këto reshjet e fundit të shiut na bënë që mos të luanim, sepse kishim mundësi për të luajtur që ndeshjen e ardhshme të kampionatit, por duhet të jemi në 100% që të luajmë pas ndërprerjes së kampionatit.

Fituesi nuk parashikohet, por nga ana psikologjike një bonus është kur skuadra ka rezultate të mira.”, përfundoi Sulejman Starova.