Partizani do të gjejë Vllazninë në fazën gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, e cila sfida e parë do të zhvillohet më 30 mars. Për shortin e Kupës, për mediat ka folur drejtori i “demave”, Olsi Rama, i cili ka analizuar këtë përballje të vështirë ndaj shkodranëve të Thomas Brdariç:

“Nuk kisha asnjë lloj preference dhe isha i qetë. Të treja ekipet janë shumë të forta dhe janë me shumë eksperiencë. Ndihem mirë që përballemi me Vllazninë sepse është gjithmonë një atmosferë e bukur.

Ndeshjen e dytë do ta bëjmë atje, me sportdashësit shkodranë që janë tifozë të zjarrtë dhe bëjnë një atmosferë shumë të bukur në ndeshje. Objektivi për një trofe, dhe ky është trofeu që kemi mbetur në garë.

Duhet marrë me seriozitetin më të madh, ashtu si në çdo ndeshje të kampionatit, sepse futbolli shqiptar dihet që është e rëndësishme dhe Europa dhe të gjejmë hyrjen në Europë nga dera kryesore.

Tani me heqjen e golit në fushën kundërshtare nuk kam ndonjë preferencë, ndonjëherë është më mirë të luash në fushën tënde sepse duhet ta mbyllësh që në sfidën e parë dhe të shkosh më i qetë.

Asnjë fitore me Vllazninë në tre ndeshje? Kjo e bën edhe më të bukur shijen e fitores. Që të gjitha ekipet që kam qenë në krye të Partizanit kanë veçoritë e tyre.

Mendoj se është një grup shumë i mirë, si brenda dhe jashtë fushe. Po vijnë moralisht dhe psikologjikisht në çdo ndeshje dhe po shprehen më mirë. Ishim të vetëdijshëm që kemi pasur një problem të tillë, por ekipi edhe në dy fazat e para arrinte që të shprehej bukur. Fati i njeriut vendoset nga mënyra sesi ai përgatitet për të bërë më të mirën.

Në futboll ti mposht momentet e vështira me punë, me disiplinë dhe me rregull dhe më pas ia arrin që të triumfosh.”, përfundoi drejtori i Partizanit, Olsi Rama.