Laçi do vizitojë Vllazninë në Shkodër në kuadër të javës së 10-të të Superligës. Kjo do jetë edhe ndeshja e dytë këtë sezon për të dy skuadrat mes tyre që pas fitores 3-5 të kuqebluve në javën e parë të kampionatit. Por shumë gjëra kanë ndryshuar që nga ajo ndeshje sidomos tek kurbinasit.

Kjo pasi tashmë në krye të pankinës nuk qëndron më Vuçkeviç, por një ekspert i futbollit shqiptar si Mirel Josa. Bardhezinjtë nën drejtimin e trajnerit kryeqytetas njohin 3 fitore dhe 1 barazim në kampionat, si edhe 1 fitore dhe 1 barazim në kupë.

Pra statistikat tregojnë qartë që laçianët e kanë kaluar momentin e tyre negativ në kampionat. Gjatë kësaj periudhe nën drejtimin e Joses, ata kanë mposhtur Kastriotin(0-1), Skënderbeun (2-0)dhe Teuten(2-0)Ku edhe kanë barazuar në transfertë kundër Partizanit në shifrat 1-1.

Në kampionat si timonier të skuadrës Josen, Laçi ka shënuar 6 gola dhe ka pësuar 1 në 4 javë. Po ashtu në kupë ka arritur kualifikimin kundër Tomorit. Pra duket se dora e Joses është ndjerë tek laçianët të cilët me formën e mirë që po kalojnë do kërkojnë pikë edhe në Shkodër. Vllaznia pritet të ketë një sfidë të vështirë të shtunën në orën 19:45 në “Loro Boriçi”.
Endri ÇINARI