Kampionati ka mbyllur pjesën e parë të tij ku tashmë i lihet vendi pushimeve dimërore. Pavarësisht se mungojnë edhe 3 javë për të kompletuar gjysmën e kampionatit, sërish në këto 15 javë ka disa statistika intersante. Kështu sulmi më i mirë i kampionatit është ai i Kukësit.

Verilindorët kanë shënuar 29 gola në 15 takime. Pas tyre vjen Tirana me 28 gola të shënuar e për të kompletuar podin është Laçi me 24 gola ndërsa Vllaznia ka tundur rrjetën 23 herë deri më tani. Ndërsa për tu ndalur tek ekipet që kanë shënuar më pak janë Kastrioti dhe Dinamo me nga 10 gola e po ashtu Egnatia me 11 gola.

Për të kaluar tek mbrojtjet më të forta është ajo e Tiranës që ka pësuar vetëm 11 gola. Pas tyre më pak gola të pësuar ka Laçi me 14 e po ashtu Partizani që ka pësuar 15 gola është mbrojtja e tretë më e mirë, por gjithashtu të kuqtë janë ndër sulmet më të dobëta pasi kanë shënuar vetëm 15 gola.

Ndër mbrojtjet më të dobëta deri më tani është ajo e Kastriotit që ka pësuar 29 gola, po ashtu Dinamo ka pësuar shumë gola me 21 të tillë dhe Egnatia me 20 gola në disfavorin e tyre. Këto statistika të 15 raundeve të para patjetër paraqesin më së miri cilësitë e skuadrave dhe renditjen e tyre në tabelën e klasifikimit.

Endri ÇINARI