Ish-mbrojtësi i Vllaznisë, Stefan Cicmil është futbollist i lirë momentalisht dhe po kërkon një tjetër skuadër në karrierë.

Para disa vitesh, 31-vjeçari u afrua nga Vllaznia, me të cilën u aktivizua nga viti 2015 deri në 2017. Cicmil e njeh mirë ambientin kuqeblu, teksa ka kaluar dy vite në Shkodër.

Ish-mbrojtësi i Vllaznisë tashmë, ka përditësuar në profilin e tij të Facebook foto, kur mbante veshur fanellën kuqeblu. Ky mund të jetë sinjal për drejtuesit kuqeblu, pasi Cicmil e ka shprehur gjithmonë rrespektin për klubin.

Kështu, duket se mbrojtësi i “shkel syrin” shkodranëve për një rikthim të mundshëm. Me një karrierë të pasur te Buduçnost, Mlladosti, Sutjeska, Podgorica por edhe ekipe të tjera, Cicmil ka shprehur hapur dëshirën për një rikthim në Shkodër.

Me Vllazninë, ai ka shënuar edhe 6 gola. Ndërkohë, ai mbahet mend edhe për situata jo fort pozitive në Shkodër.

Më 6 maj të 2017, në një ndeshje të rëndësishme kundër Skënderbeut, ndeshje që ishte vendimtare për pjesëmarrjen e skuadrës në kompeticionet europiane, Cicmil bëri paraqitjen ndoshta më të keqe në karrierën e tij, duke shkaktuar një penallti në fund të pjesës së parë, ku u ndëshkua me karton të verdhë dhe duke shkaktuar një tjetër në minutën e 95-të, gjë që e detyroi të linte ndeshjen, teksa Vllaznia humbi 4-3 në Korçë.

Në atë periudhë, në intervistën pas ndeshjes, trajneri Armando Cungu kritikoi publikisht Cicmilin duke thënë: “Nuk është hera e parë që ai bën gabime të tilla dhe kam marrë vendimin që të mos luajnë më ai dhe portieri Selimaj”-pat thënë në atë periudhë, trajneri i Vllaznisë Armando Cungu.
Maringlen ZHIVANI