
Mjafton të ishe prezent në ndeshjen e djeshme finale të kampionatit kombëtar të volejbollit për të reja në mes Vllaznisë dhe Skënderbeut dhe padyshim lojtarja që ka spikatur ka qenë nr.1 i ekipit shkodran. Bëhet fjalë për Stela Kirin, e cila luan në rolin e liberos dhe me paraqitjen e saj ka merituar shumë duartrokitje nga sportdashësit e shumtë të pranishëm në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Mënyra si ajo luante, hedhjet e saj në parket për të mos lënë asnjë top që të prekte fushën, kanë bërë për vete të gjithë. Ajo ka marrë vlerësime edhe nga specialistët e pranishëm në këtë ndeshje të cilat kanë evidentuar elementet teknikë të kësaj volejbollisteve duke e konsideruar një sportiste me shumë të ardhme. Natyrisht që trajneri Mikopli ka ditur t’i japë rëndësinë e duhur në skemat e tij Kirit e cila e ka justifikuar në mënyrën më të mirë të mundshme besimin e trajnerit. Me shumë të ngjarë, shumë shpejt kjo lojtare do të jetë pjesë e rëndësishme edhe e ekipit të parë të Vllaznisë. Mosha e saj e re premton shumë për të ardhmen dhe prandaj emrin e Stela Kirit sigurisht që duhet ta shënojmë diku sepse shumë shpejt ajo do të jetë një emër i njohur në volejbollin shqiptar.
www.shkodrasport.com